Ish-zëvendëskryeministri dhe një nga politikanët më të lartë të Partisë Socialiste deri pak vite më parë, Arben Ahmetaj, ka publikuar mbrëmjen e djeshme një përgjim të realizuar mes disa shtetasve të huaj, ku përfshihet dhe shqiptaro-izraeliti Ron Yefet.
Një biznesmen kontravers i cili menjëherë pas ardhjes në Shqipëri, nisi të blinte aksione dhe të integrohej mes disa prej kompanive private më të rëndësishme në vend, të cilat gjatë muajve të fundit janë bërë pjesë e marrëveshjeve me shtetin shqiptar për projkete miliarda lekë.
Dhe përgjimi që Arben Ahmetaj e prezantoi si autentik dhe të dalë për herë të parë në publik, tregonte sesi Ron Yefet përpiqej të negocionte marrëveshje të mëdha biznesi me shtetas ukrainas, për prodhimin dhe tregtinë e armëve, ndërsa krenohej se në Shqipëri i kishte rregulluar të gjitha.
Materiale të fragmentarizuar u shfaqën për herë të parë në Syri Tv, nga Monako, ku drejtuesit pretenduan se është realizuar intervista me Arben Ahmetaj, por që kanë shkaktuar reagime të forta në Tiranë dhe thirrje nga aktorë të ndryshëm politikë për Prokurorinë e Posaçme.
ÇIM PEKA: Bëhet fjalë për një audiopërgjim. Ahmetaj, nuk dua t'ju pyes siç pyesin çdo gazetar në Shqipëri çfarë do bëjë e çfarë s'do bëjë, se kryesisht gazetarët e regjimit pyesin ‘nga e gjete’, por kjo nuk më intereson fare. Çfarë do të thotë për ju ky audiopërgjim?
ARBEN AHMETAJ: Mund të më pyesësh ku e gjeta, përgjigjja ime do të ishte që s'jam i autorizuar, po ju s'më pyetët, kështu që unë nuk po ju përgjigjem.
ÇIM PEKA: As nuk më duhet. Rëndësi ka që është autentik, nuk kontestohet dot.
Kjo është një pjesë nga intervista që i parapriu publikimit të përgjimit të siguruar nga Arben Ahmetaj dhe i shfaqur për herë të parë i fragmentarizuar. Siç mund të kuptohet, ish-zëvendëskryeministri nuk ka pranuar të tregojë burimin, por ka siguruar gazetarin dhe publikun se përgjimi është autentik dhe mund të verifikohet nga specialistët.
Newsbomb.al ka mundur të mësojë se regjistrimi i bisedave private ku Ron Yefet dhe miqtë e tij ukrainas planifikojnë të mbyllin me paketim në Shqipëri armët e trafikuara nga Afrika, për t'i shitur më pas në vendet në konflikt, është tentuar t'u shpërndahet disa personazheve të njohur në vend, duke përfshirë gazetarë, politikanë dhe "koordinatorë". Por askush nuk e ka marrë përsipër dorëzimin e materialit dhe publikimin.
Mbetet enigmë se kush është personi që ia dorëzoi atë Arben Ahmetaj, duke e ditur se askush më mirë se ai nuk mund t'i jepte zë një materiali të tillë kaq sensitiv, ama është pak por e sigurt se Ron Yefet është shitur nga miqtë ukrainas të cilët e kanë planifikuar regjistrimin dhe publikimin e përgjimit.
Siç doli edhe nga materialet që u shfaqën mbrëmjen e djeshme, Igor dhe Sergej ishin të frikësuar për të bërë projekte e marrëveshje pa procedura të rregullta prokurimi (tender) në Shqipëri, ndërsa Ron Yefet i siguronte se ai "ishte bërë Ministër" dhe qeveria e Edi Ramës e kishte marrë për të mbyllur "punët e këqija".
