Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

SHBA ia la vendimin shqiptarëve për Shtetin Bektashi, Ermelinda Meksi pas vizitës në Kryegjyshatë të besnikut të Trump: Si do shprehet vullneti i popullit?

Shkruar nga Newsbomb
SHBA ia la vendimin shqiptarëve për Shtetin Bektashi, Ermelinda Meksi
Ne foto: Zampolli ne Kryegjyshate me Baba Mondin-Ermalinda Meksi

Vizita e një dite më parë e Paolo Zampollit, ambasadorit dhe të dërguarit special të Donald Trump, ka sjellë një sërë reagimesh në rrjet, madje dhe përtej kufijve shqiptarë. Kjo pas deklaratës së bërë një ditë më parë nga vetë Zampolli sa i përket krijimit të Shtetit Bektashi në Shqipëri, i cili tha se duhet të jetë populli shqiptar ai që duhet të vendosë.

E së fundmi ka qenë një prej figurave më të spikatura të së majtës shqiptare, si dhe ish-zv.kryeministrja Ermelinda Meksi e cila ka dhënë opinionin e saj lidhur me atë çfarë është duke ndodhur e folur në Shqipëri sa i përket kësaj çështje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ka theksuar se një çështje e tillë që prek sovranitetin, territorin dhe rendin kushtetues të vendit, duhet të kalojë përmes një procesi të qartë, transparent dhe kushtetues, ku qytetarët të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre.

Reagimi i saj vjen në një moment kur kryeministri Edi Rama ka deklaruar mbështetjen për krijimin e Shtetit Bektashi, ndërsa Baba Mondi ka bërë të ditur në intervista për mediat e huaja se kanë nisur përgatitjet për elementë të këtij shteti, përfshirë pasaportën dhe monedhën.

Në këtë kontekst, Meksi ngre pikëpyetjen se si do të shprehet konkretisht vullneti i shqiptarëve për një nismë të tillë. Sipas saj, nuk mjafton të thuhet se vendimin do ta marrë populli, por duhet të përcaktohet edhe mënyra se si qytetarët do të informohen dhe do të shprehen për këtë çështje.

“Nuk mjafton të thuhet se “populli do të vendosë”; duhet të përcaktohet edhe mënyra se si do të shprehet ky vullnet dhe mbi çfarë informacioni do të merret vendimi”, shkruan Meksi ndër të tjera.

Reagimi i Meksit: 

Shteti bektashi dhe vullneti i qytetarit

Rikthimi në skenë i çështjes së “Shtetit Bektashi”, këtë herë edhe përmes vizitës së të dërguarit special amerikan Paolo Zampolli, meriton vëmendje serioze. Zampolli tha qartë se për një çështje të tillë duhet të vendosë populli shqiptar dhe se SHBA do të mbështesë atë që do të vendosin shqiptarët.

Por si do të shprehet vullneti i popullit shqiptar?

Një çështje që prek sovranitetin, territorin dhe rendin kushtetues nuk mund të mbetet thjesht një ide e hedhur nga Kryeministri dhe më pas të diskutohet në qarqe politike e diplomatike. Në një vend demokratik, qytetari është sovran dhe duhet të jetë pjesë reale e vendimmarrjes, përmes një procesi të qartë, transparent dhe kushtetues.

Nuk mjafton të thuhet se “populli do të vendosë”; duhet të përcaktohet edhe mënyra se si do të shprehet ky vullnet dhe mbi çfarë informacioni do të merret vendimi.

Miqësia dhe partneriteti me SHBA janë të rëndësishme. Por, si një vend sovran dhe aleat, Shqipëria duhet t’i marrë vendimet përmes institucioneve të saj, me qytetarin në qendër.

Pyetja nuk është vetëm: “A duan shqiptarët një shtet bektashi?”

Por edhe: “A do të kemi një proces demokratik ku shqiptarët të mund të shprehin lirisht dhe qartë vullnetin e tyre?”

E. Meksi, 8 shtator 2026

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese