Ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, është arrestuar në Portugali në moshën 95-vjeçare.
Britaniku është ndaluar në aeroportin e Tires, në Cascais, pasi në bagazhin e tij u gjet një armë zjarri e padeklaruar.
Ecclestone kishte mbërritur me avionin e tij privat nga Saaneni i Zvicrës.
Gjatë kontrollit rutinë, policia portugeze zbuloi një pushkë që nuk ishte e regjistruar apo deklaruar.
Arma u sekuestrua, ndërsa 95-vjeçari u arrestua për mbajtje të paligjshme të saj.
Autoritetet portugeze ende nuk kanë dhënë detaje zyrtare për incidentin.
Ky është një tjetër problem i ngjashëm për miliarderin britanik, pas një rasti të ndodhur në Brazil në vitin 2022.
Edhe atëherë, në bagazhin e tij u gjet një pistoletë pa dokumentacionin përkatës.
Ecclestone kishte deklaruar se nuk ishte në dijeni se arma ndodhej në bagazhin e tij.
Ai u lirua pasi pagoi një garanci prej rreth 1,150 eurosh, ndërsa arma iu konfiskua.
Tashmë, vetëm katër vite më vonë, ish-numri një i Formula 1 përballet sërish me një situatë të ngjashme.
Ecclestone mbetet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e Formula 1, por këtë herë emri i tij është rikthyer në qendër të vëmendjes për një arsye krejt tjetër.












