Ngërçi me pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë bojkotin e punës në Gjykatën e Tiranës. Në bojkot janë përfshirë punonjës të Dhomës Civile dhe Dhomës Penale, si dhe administrata e sekretarët gjyqësorë.
Problematika u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese.
Në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, si dhe shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen e re, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit.
Si pasojë, pagat e muajit gusht kanë mbetur të paekzekutuara për gjyqtarë, prokurorë, si dhe për punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “dera e Thesarit të Shtetit” nuk mund të hapet me forcë, ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka paralajmëruar se ngërçi pritet të zgjidhet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.


