Kosova ka formalizuar të hënën përfshirjen e saj në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) që pritet të angazhohet në Rripin e Gazës.
Lajmi është bërë i ditur nga Bordi i Paqes, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili njoftoi se përfaqësuesit e Kosovës, Bordit të Paqes dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese kanë nënshkruar Marrëveshjen për Shtetet Pjesëmarrëse.
Dokumenti është firmosur nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers.
Sipas Bordit të Paqes, marrëveshja formalizon përfshirjen e Kosovës në mision dhe dëshmon përkushtimin e saj ndaj objektivave të ISF-së, si dhe mbështetjen për planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Gaza.
Kosova ishte ndër shtetet e para që u zotuan për të kontribuar me trupa në këtë forcë. Në fillim të vitit, dërgimi i pjesëtarëve të FSK-së u miratua nga Kuvendi dhe u autorizua nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Në prill, një ekip i FSK-së vizitoi Rripin e Gazës për të vlerësuar terrenin dhe kushtet ku pritet të angazhohen trupat kosovare.
Deri tani, pesë shtete janë zotuar të kontribuojnë me trupa në ISF: Kosova, Shqipëria, Indonezia, Maroku dhe Kazakistani. Ndërkohë, Egjipti dhe Jordania kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në trajnimin e policisë.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është pjesë e planit 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës në Gaza dhe rindërtimin e territorit.
Sipas planit, trupat ndërkombëtare do të angazhohen për garantimin e sigurisë në zonat nga të cilat pritet të tërhiqen forcat izraelite, trajnimin e forcave të reja policore palestineze dhe mbështetjen e shpërndarjes së ndihmave humanitare.


