Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka bërë deklarata të forta gjatë intervistës së tij në emisionin “Çim Peka Live”, ku ka folur për mënyrën se si, sipas tij, funksionon pushteti brenda qeverisë dhe rolin që ka zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Ahmetaj ka hedhur një pretendim të fortë, duke deklaruar se Belinda Balluku ka ndikim në emërimin e ministrave, ndërsa sipas tij ushtron presion edhe ndaj kryeministrit Edi Rama në rast se preken personat që ajo ka vendosur në poste.
Gjatë intervistës, ish-zëvendëskryeministri ka folur edhe për strukturat që, sipas tij, vijojnë të kenë ndikim në institucione të rëndësishme shtetërore, duke përmendur sektorët e energjisë, kadastrës dhe administratës tatimore.
Sipas Ahmetajt, ndryshimet politike apo institucionale nuk kanë prekur strukturën që ai e lidh me Ballukun dhe drejtimin e organizatës qeverisëse.
“Nuk ka zgjedhje me këtë, sepse ka vjedhur rregullat e lojës. Paratë e kanë zhdukur fushën. Struktura e Belinda Ballukut dhe e kreut të organizatës, si në AKSH, ashtu edhe në energji dhe në Kadastër, është e fortë dhe vazhdon. Struktura nuk është cenuar. Struktura është më e fortë se kurrë”, deklaroi Ahmetaj.
Më tej, ish-zëvendëskryeministri përsëriti akuzat e tij ndaj Belinda Ballukut, duke pretenduar se ajo ka mundësi të ndikojë në përbërjen e qeverisë dhe se e kërcënon kryeministrin nëse preken ministrat që, sipas tij, janë të lidhur me të.
Ahmetaj ngriti gjithashtu akuza të tjera të rënda lidhur me ish-ministrin e Shëndetësisë, duke pretenduar se ndaj tij është ushtruar një presion i jashtëzakonshëm për shkak të një ligji që, sipas tij, synohet të përdoret për krijimin e një “karte” të kontrolluar nga qeveria.
“Belinda Balluku emëron ministra dhe e kërcënon Ramën nëse ia prek ministrat. E masakruan ish-ministrin e Shëndetësisë, për një ligj që do të bëjë ky, një kartel të vetin”, u shpreh ai.
Në përfundim të deklaratës së tij, Ahmetaj e lidhi situatën politike me nevojën për reagim qytetar, duke e cilësuar protestën si një nga mënyrat kryesore për të ndryshuar situatën në vend.
“Protesta është shpëtimi i Shqipërisë”, deklaroi Arben Ahmetaj.







