Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka renditur një sërë çështjesh që, sipas tij, përbëjnë afera të dyshuara dhe raste që nuk janë hetuar sa duhet nga drejtësia. Në deklaratat e tij, Ahmetaj tha se për disa prej këtyre rasteve disponon dosje, llogari dhe materiale që, sipas tij, i janë dërguar nga persona të ndryshëm.
Një prej emrave të përmendur prej tij ishte Valon Ademi, të cilin Ahmetaj e lidhi me projektin e Aeroportit të Vlorës dhe, sipas pretendimit të tij, edhe në mënyrë indirekte me projektin “Smart City”.
Duke folur për Aeroportin e Vlorës, Ahmetaj e cilësoi projektin si “grabitje”, ndërsa paralajmëroi se emri i Valon Ademit, sipas tij, shfaqet edhe në dokumente që lidhen me “Smart City”.
“Valoni të ketë kujdes, se i del fytyra edhe te ‘Smart City’”, deklaroi Ahmetaj.
Ish-zëvendëskryeministri tha se disponon materiale dhe llogari që lidhen me projektin “Smart City”, duke ngritur pikëpyetje mbi kostot e tij. Sipas llogaritjeve që ai pretendon se ka bërë, një kamerë do të kushtonte rreth 560 dollarë në blerje me shumicë, ndërsa vlera totale e projektit, sipas tij, arrin në rreth 130 milionë dollarë.
Ahmetaj ngriti gjithashtu pretendimin se projekti po realizohet pa një proces tenderimi dhe kërkoi shpjegime mbi rolin e institucioneve europiane në këtë çështje.
“Po ku është Komisioni? Si ka mundësi që Komisioni nuk flet fare? Ku është Komisioni Europian?”, u shpreh ai.
Ahmetaj: Kadastra dhe tenderët janë çështje që duhen hetuar
Në listën e çështjeve të përmendura prej Ahmetajt ishte edhe Kadastra. Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, drejtësia ka trajtuar disa raste të dyshuara për shpërdorime, duke pretenduar se hetimet nisin në disa raste, por më pas nuk vijojnë deri në fund.
Ahmetaj përmendi gjithashtu investimet në infrastrukturë dhe tenderët publikë, ku ngriti akuza për shpërdorime dhe pabarazi në procedurat e prokurimit.
“Kadastra. Kujt ia tregojnë këta që vijnë dhe arrestojnë Arben Ahmetajn, ndërkohë që gjithë shpërdorimet e dyshes dhe të dysheve nuk i prekin? Janë çmendurira. Unë i di dhe i kam me dosje. Njerëzit më dërgojnë pafundësisht materiale”, deklaroi ai.
Duke iu referuar rrugëve dhe procedurave të tenderimit, Ahmetaj tha se drejtësia, sipas tij, “bën sikur i prek” disa çështje, por më pas nuk vijon me to.
“Te rrugët bëjnë sikur i prekin dhe pastaj nuk i prekin. Ka shpërdorime, ka pabarazi në tendera”, tha Ahmetaj.
Ai e lidhi këtë situatë me pretendime për ekzistencën e një strukture të organizuar, duke përdorur edhe termin “grup i strukturuar kriminal”.
Çështja Becchetti dhe “Albanian Files”
Një tjetër çështje e ngritur nga Arben Ahmetaj ishte ajo e biznesmenit italian Francesco Becchetti. Ahmetaj përmendi një faturë që, sipas tij, kalon vlerën e 130 milionë eurove dhe kërkoi që vëmendja të përqendrohet te lëvizja e parave.
Ai përmendi gjithashtu materialet e njohura si “Albanian Files”, të cilat i cilësoi si materiale që, sipas tij, përmbajnë të dhëna të mjaftueshme për nisjen e hetimeve.
“Becchetti, 130 e kusur milionë. ‘Albanian Files’ është aktakuzë e pastër, që tregon me detaje të shkruara dhe të pranuara se çfarë ka bërë ky. Ndiq paratë, po deshe, edhe me arkitektët e huaj, ku kanë qarkulluar dhe çfarë lobimi kanë bërë”, deklaroi ai.
Ahmetaj e zhvendosi më pas vëmendjen te projektet infrastrukturore dhe investimet e mëdha, duke përdorur një krahasim historik për të kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po prezantohen disa prej projekteve.
Ahmetaj për Durrësin dhe “data center”-at
Në pjesën tjetër të deklaratës, Ahmetaj përmendi edhe Durrësin, duke ngritur pretendime për mënyrën se si janë administruar paratë e buxhetit të shtetit dhe politikat fiskale.
Sipas tij, nëpërmjet ndryshimeve në taksa janë krijuar situata që ai i konsideron të paligjshme dhe që mund të kenë ndikuar në përdorimin e fondeve publike.
Ai foli më tej për një projekt “data center” në Durrës, duke ngritur pikëpyetje mbi konsumin e energjisë dhe mënyrën se si do të përcaktohej çmimi i energjisë për këto struktura.
“Janë devijuar para të buxhetit të shtetit nëpërmjet heqjes së taksave të paligjshme. Pastaj do të shkojë Sani në Durrës, do të prodhojë këtë data center-in me çmimet e këtij dhe do të gëlltisë 3.2 megavat në orë në një data center”, deklaroi Ahmetaj.
Ai ngriti gjithashtu dyshime se kapacitete të tilla mund të përdoren edhe për aktivitete të tjera, duke përmendur mundësinë e prodhimit të kriptomonedhave dhe kanalizimit të të ardhurave përmes subjekteve të tjera.
Në fund, Ahmetaj ngriti pyetjen se si do të menaxhohej situata nëse në Shqipëri do të ndërtoheshin një numër i madh qendrash të të dhënave.
“Po sikur të vijnë 100 data center-a, do t’ua japësh të gjithëve?”, u shpreh ai.







