Princi Harry dhe Meghan Markle nuk do të kenë rol aktiv në Familjen Mbretërore dhe nuk do të lejohen të zhvillojnë angazhime zyrtare në emër të monarkisë, edhe pas rikthimit të tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky qëndrim është bërë i qartë përmes një letre të dërguar në emër të Mbretit Charles, e cila synon të sqarojë statusin zyrtar të Dukës dhe Dukeshës së Sussex-it.
Sipas letrës, Harry dhe Meghan do të vazhdojnë të konsiderohen qytetarë privatë dhe nuk do të kenë të drejtë të përdorin titujt “His Royal Highness” dhe “Her Royal Highness” (Lartësia e Tij/Saj Mbretërore).
Dokumenti, i dërguar nga Lord Chamberlain, një prej zyrtarëve më të lartë të Pallatit, i është përcjellë ekipit të Princ Harry-t, departamenteve qeveritare, zyrtarëve ushtarakë dhe Lord Lieutenantëve, të cilët shërbejnë si përfaqësues lokalë të monarkut.
Mesazhi kryesor është se çdo aktivitet apo vizitë e Harry-t dhe Meghan-it në Mbretërinë e Bashkuar do të zhvillohet në kapacitet privat dhe nuk duhet të konsiderohet si angazhim zyrtar i Familjes Mbretërore.
Sqarimi vjen në një moment kur çifti pritet të ketë disa paraqitje publike gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa vijon angazhimi i tyre në aktivitete bamirësie.
Ndërkohë, Princ Harry është shfaqur në një fotografi të publikuar në rrjetet sociale nga Tower Bridge Studios në Londër. Kjo duket të jetë një nga imazhet e para të tij që prej rikthimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Letra e Pallatit rikujton gjithashtu se marrëveshja e arritur në vitin 2020, e njohur si “Marrëveshja e Sandringham-it”, mbetet në fuqi.
Marrëveshja përcaktoi se Sussex-ët nuk mund të mbanin një pozicion “gjysmë brenda, gjysmë jashtë” të Familjes Mbretërore, duke përjashtuar mundësinë që ata të zhvillonin interesa private dhe tregtare ndërkohë që vazhdonin të kryenin detyra zyrtare në emër të monarkisë.


