I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për Partneritetet Globale në Ballkan, Paolo Zampolli, ka deklaruar se vendimi për krijimin e një shteti sovran bektashi në Tiranë i takon popullit shqiptar.
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Zampolli zhvilloi takime me përfaqësues të komunitetit Bektashi, drejtues të politikës shqiptare, ndërsa në axhendën e tij janë edhe takime me ministra të qeverisë shqiptare.
Nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, ai foli për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, bashkëpunimin dypalësh dhe projektin për krijimin e Shtetit Bektashi.
I pyetur për qëndrimin e tij lidhur me këtë nismë, Zampolli tha se propozimin e ka dëgjuar si nga kryeministri Edi Rama, ashtu edhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi.
“E kam dëgjuar Kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë. Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin”, deklaroi ai.
Zampolli shtoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të respektojë vullnetin e popullit shqiptar.
“Prandaj duhet të flasë populli. Nëse populli juaj e dëshiron, mendoj se kjo është një gjë e mirë”, u shpreh i dërguari amerikan.
Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e administratës Trump për bashkëjetesën ndërfetare, duke vlerësuar rolin e komunitetit Bektashi në këtë drejtim.
“Si Presidenti Trump, ashtu edhe Sekretari Rubio, dhe unë vetë, të gjithë besojmë në bashkëjetesën ndërfetare dhe në të gjitha objektet e kultit”, tha Zampolli.
Gjatë vizitës, i dërguari special amerikan vlerësoi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Uashingtonit, duke e cilësuar Shqipërinë një mike dhe aleate të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara në rajon.
“Ju jeni një aleat, jeni shumë të rëndësishëm. Ne kemi nevojë për miq në rajon dhe na pëlqejnë miqësitë afatgjata”, deklaroi ai.
Zampolli tha se synimi i takimeve të tij në Tiranë është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe dhe përcjellja e një mesazhi respekti ndaj Shqipërisë.
Ndërkohë, sa i përket projektit për Shtetin Bektashi, ai bëri të qartë se nuk e sheh çështjen si një vendim që i takon Uashingtonit, por si një çështje që duhet të përcaktohet nga vetë shqiptarët.
“Komuniteti ndërkombëtar do ta respektojë vendimin e popullit të Shqipërisë”, theksoi Zampolli.
#PaoloZampolli #DonaldTrump #ShtetiBektashi #Bektashinjtë #BabaMondi #EdiRama #Shqipëri #SHBA #Tiranë #Politikë #BashkëjetesaNdërfetare


