Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka intensifikuar kontrollet për sigurinë ushqimore në të gjithë vendin.
Inspektimet kanë në fokus subjektet që tregtojnë apo përgatisin ushqime pranë institucioneve arsimore, me qëllim garantimin e standardeve të sigurisë për fëmijët dhe nxënësit.
Kontrollet po zhvillohen në fast-food-e, byrektore, piceri, markete dhe pika të tjera të tregtimit të produkteve ushqimore. Pjesë e inspektimeve janë edhe subjektet që përgatisin ushqim për kategori të veçanta, përfshirë kopshtet, çerdhet dhe shkollat.
Sipas AKU-së, aksioni po zhvillohet në kuadër të paketës së “Sigurisë në shkolla” dhe në zbatim të legjislacionit për sigurinë ushqimore dhe inspektimin.
Gjatë kontrolleve, inspektorët po verifikojnë respektimin e kërkesave për sigurinë ushqimore, duke u fokusuar veçanërisht te kushtet e higjienës, afatet e përdorimit të produkteve, gjurmueshmëria dhe standardet higjieno-sanitare.
Një tjetër element i kontrolleve është edhe verifikimi i etiketimit të produkteve ushqimore. Krahas inspektimeve në terren, AKU po kryen edhe marrje mostrash për analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se qëllimi i masave është parandalimi i rreziqeve që lidhen me ushqimet e tregtuara apo të konsumuara pranë institucioneve arsimore dhe krijimi i një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe nxënësit gjatë vitit të ri shkollor.


