Ish-banori i “Big Brother VIP Albania 1 Granit Cana ka rrëfyer për herë të parë në detaje një nga periudhat më të vështira të jetës së tij. Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, me moderatore Sidorela Gjonin, Cana tregoi se prej afro shtatë vitesh përballet me një gjendje shëndetësore, shkakun e së cilës ende nuk e ka të qartë.
Ai tregoi se problemet kanë nisur gradualisht, fillimisht me episode të shikimit të turbullt që zgjasnin vetëm disa minuta. Me kalimin e kohës, simptomat u shtuan dhe prekën edhe përqendrimin dhe të folurin.
Edhe gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP”, Cana kishte përjetuar episode të tilla, por vendosi të mos fliste gjerësisht për gjendjen e tij shëndetësore, pasi kishte frikë se mund të interpretohej si një përpjekje për të fituar simpatinë e publikut.
“Jam mirë, ka kohë që jam duke e vuajtur një pjesë, nuk e di a e quaj dot sëmundje. Kam gati 7 vite me këtë gjendje. Ka filluar nga pak. Fillimisht më vinte si pamje e turbullt, zgjaste 5 minuta dhe ikte. Nuk e bëja të madhe”, rrëfeu ai.
Pas daljes nga reality show, gjendja e tij vazhdoi të përkeqësohej. Cana tregoi se pati vështirësi edhe në të folur dhe në përqendrim, ndërsa mjekët nisën një seri ekzaminimesh për të gjetur shkakun.
“Si fillim e pamë një lloj strabizmi te sytë. Bëra disa kontrolle dhe mjeku më tha: ‘Sytë i ke të shëndetshëm’. Më tha të bëja një skaner, pasi dyshonte për tumor në sinus. Edhe ajo doli në rregull. Nuk dinim ku të drejtoheshim. Bëmë edhe analiza gjaku. Isha edhe te neurologët”, tregoi ish-banori.
Cana rrëfeu gjithashtu se gjatë këtyre viteve ka kaluar një periudhë të rëndë emocionale. Sipas tij, rreth dy vite kanë qenë të shoqëruara me depresion dhe momente shumë të vështira psikologjike.
“Kam pasur momente shumë të vështira. I kam pasur nja 2 vite në depresion. Ka pasur momente që jam mbyllur në dhomë, kam qarë si fëmijë. Kam pasur momente që mendoja më të keqen, të bëja diçka që nuk duhej bërë”, u shpreh ai.
Ai tregoi se në ato momente familja ka qenë një nga arsyet kryesore që e ka ndihmuar të mos dorëzohej.
“Kam menduar pastaj për familjen. Jam njeri që besoj, jam besimtar, kjo më ka ndihmuar shumë”, tha Cana.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se në vizitën e fundit mjekët i kanë rekomanduar një tjetër ekzaminim, që përfshin një injeksion në shtyllën kurrizore, për të kontrolluar mundësinë e një infeksioni.
Rrëfimi i Granit Canës vjen pas vitesh përballjeje me simptoma të pashpjeguara dhe një betejë të fortë edhe në aspektin psikologjik.


