5 të vrarë në tre muajt e fundit në Qarkun e Shkodrës, nga vrasja e gruas në Shkodër te ngjarja e rëndë e sotme…

Shpërndaje

Pesë persona kanë humbur jetën në katër ngjarje të rënda kriminale të regjistruara gjatë tre muajve të fundit në Qarkun e Shkodrës. Rastet kanë ndodhur në zona të ndryshme dhe kanë pasur rrethana të ndryshme, nga konfliktet familjare te përplasjet me armë zjarri.

Ngjarja e parë e kësaj periudhe u regjistrua më 9 korrik në Shkodër, ku 55-vjeçarja Bardhe Ziçi u vra me armë gjahu nga bashkëshorti i saj. Pas ngjarjes, policia nisi hetimet dhe bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar.

Vetëm pak ditë më vonë, më 11 korrik, një tjetër vrasje u shënua në zonën e Prekal-Kirit. Aleksandër Koçeku u gjet i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij. Policia nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.

Më 23 gusht, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi zonën e Dukagjinit. Lekë Gjoni dhe djali i tij, Prelë Gjoni, u vranë në një atentat me armë zjarri. Në të njëjtën ngjarje mbeti i plagosur edhe një person tjetër, ndërsa policia nisi një operacion për zbardhjen e krimit dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:30, Shkodra u trondit nga një tjetër vrasje. 24-vjeçari Ylber Luli mbeti i vrarë me armë zjarri në banesën e tij, pas një konflikti me të dyshuarin Andri Vulaj.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti mes dy të rinjve kishte nisur disa orë më herët në një lokal në zonën e Gjuhadolit. Rreth orës 05:00, Vulaj dyshohet se ka shkuar në banesën e Lulit për t’u sqaruar, duke pasur me vete edhe një pistoletë.

Situata ka përshkallëzuar në përleshje fizike, ku është përfshirë edhe babai i 24-vjeçarit, Qamil Luli. Sipas policisë, babë e bir kanë plagosur me thikë Vulajn, ndërsa ky i fundit dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj Ylber Lulit, duke i shkaktuar plagë fatale.

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat bënë ndalimin e të dyshuarit dhe sekuestruan pistoletën që dyshohet se është përdorur në krim.

Në vetëm tre muaj, Qarku i Shkodrës numëron pesë viktima nga katër ngjarje. Nga Shkodra në Dukagjin, rastet kanë tronditur komunitetin dhe kanë rikthyer në vëmendje problematikën e përdorimit të armëve dhe konflikteve që përshkallëzojnë në ngjarje me pasoja fatale./RealitetiPost

Shpërndaje