Promovohet libri dokumentar për Kryengritjen e Postribës, 81 dokumente autentike hedhin dritë mbi ngjarjet e vitit 1946…

Shpërndaje

Në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua promovimi i librit dokumentar “Dokumente për Kryengritjen e Postribës 1946–1948”, Vëllimi I, përgatitur nga studiuesi Florin Zyberaj dhe botuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK).

Botimi i kushtohet Kryengritjes së Postribës të 9 shtatorit 1946, një prej reagimeve të para popullore kundër masave represive të regjimit komunist në Shqipëri. Libri sjell 81 dokumente zyrtare autentike, të nxjerra nga fondet e Arkivit Qendror të Shtetit dhe Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjatë aktivitetit referuan pedagogët e Fakultetit të Shkencave të Edukimit të Universitetit të Shkodrës, Bendis Kraja, Nertila Ljarja Haxhija dhe Marsel Nilaj, të cilët trajtuan aspekte të ndryshme të Kryengritjes së Postribës dhe rëndësinë e dokumenteve arkivore për ndriçimin e kësaj periudhe historike.

Në promovim mori pjesë edhe Dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Eranda Bilali, së bashku me pedagogë, studiues dhe të ftuar të tjerë.

Aktiviteti shërbeu si një hapësirë për diskutim akademik dhe reflektim mbi një prej ngjarjeve të rëndësishme të historisë së pasluftës në Shqipëri, duke vënë në fokus rolin e dokumenteve arkivore në zbardhjen dhe ruajtjen e kujtesës historike.

Promovimi i këtij botimi vjen në kuadër të veprimtarive akademike dhe kulturore që synojnë nxitjen e kërkimit shkencor dhe njohjen e historisë së afërt të vendit.

Shpërndaje