
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim pune me drejtuesit dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, ku ka kërkuar rritje të ndjeshme të rezultateve në disa prej problematikave kryesore të qarkut.
Gjatë mbledhjes, Hita ka shprehur pakënaqësi lidhur me nivelin e rezultateve të Policisë së Shkodrës, duke kërkuar më shumë efikasitet në zbardhjen e ngjarjeve kriminale, veçanërisht të vrasjeve, si dhe në goditjen e grupeve kriminale.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë edhe kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, kriminaliteti, siguria rrugore dhe masat për garantimin e sigurisë në institucionet arsimore, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Kreu i Policisë së Shtetit ka kërkuar që strukturat vendore të rrisin efektivitetin dhe të japin rezultate konkrete në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale. Shkodra vijon të konsiderohet një nga qarqet me problematika të rëndësishme sa i përket kriminalitetit dhe kultivimit të lëndëve narkotike.
Takimi u zhvillua në një ditë kur Shkodra u përfshi nga një ngjarje e rëndë kriminale. Shtetasi Ylber Luli u vra, ndërsa policia arrestoi pak pas ngjarjes autorin e dyshuar, Andri Vulaj.
Mbledhja e zhvilluar në ambientet e Policisë së Shkodrës zgjati më shumë se një orë. Ajo ishte pjesë e takimeve që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit po zhvillon në qarqe të ndryshme të vendit me drejtuesit vendorë dhe strukturat e policisë, me synim rritjen e përgjegjshmërisë dhe përmirësimin e rezultateve në terren.




