Lajmet e fundit
Familja Canolli në rrugën “Demë Ahmeti” në Prishtinë, është përballur me një natë tmerri, pasi një granatë dore është hedhur në drejtim të shtëpisë së tyre.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 29 gushtit, vetëm pak kohë pasi familja kishte përfunduar një aheng për martesën e një familjari.
Naser Canolli ka rrëfyer për Kiks Kosova se familja kishte hyrë në shtëpi rreth mesnatës për të pushuar, ndërsa rreth orës një janë zgjuar nga një shpërthim i fuqishëm.
Sipas tij, zhurma ka qenë aq e madhe sa është tronditur e gjithë shtëpia. Pas daljes jashtë, familjarët kanë parë tym dhe kanë njoftuar Policinë.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se bëhej fjalë për një granatë dore. Sipas familjarëve, ajo kishte përfunduar në pjesën e pasme të shtëpisë dhe kishte dëmtuar murin dhe pjesë të tjera të objektit.
Canolli thotë se familja ka pasur fat që granata ka shpërthyer në mur dhe jo në drejtim të dritareve, pasi pasojat mund të kishin qenë fatale.
Familja ka qëndruar në vendin e ngjarjes deri në orët e mëngjesit, ndërsa hetuesit kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Canolli ka deklaruar se nuk dyshon në ndonjë person konkret dhe se, sipas tij, familja nuk ka pasur konflikte me askënd. Ai thotë se Policia është informuar edhe për ekzistencën e kamerave të sigurisë në lagje, të cilat mund të kenë kapur personin e dyshuar.
Sipas tij, një person me biçikletë, me kapelë ose helmetë, doreza dhe një çantë krahu, është parë në drejtim të shtëpisë dhe dyshohet se mund të jetë personi që ka hedhur granatën.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në shtëpi, përfshirë dëmtimin e pllakës, mureve dhe pjesëve të banjës e kuzhinës. Familja e vlerëson dëmin në mijëra euro. /Klankosova.tv
Më poshtë, ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje: