Unaza e Poshtme e Burrelit, një investim publik prej rreth 1.3 milionë eurosh, është shembur plotësisht përpara se të vihej në punë. Ndërsa shkaqet e këtij degradimi mbeten të pasqaruara, ARRSH ka hapur me urgjencë një tender të ri prej 1 milion eurosh për riparime.
Pamjet nga Unaza e Poshtme e Burrelit të japin përshtypjen e një ngrehine të mbetur pas ndonjë ngjarjeje apokaliptike. Në njërin segment, asfalti është çarë duke lënë të zbuluara shtresat e zhavorrit dhe betonit mbajtës, ndërsa mbi pjesën e shembur pranë një pusete janë vendosur disa gurë si sinjalistikë, për të paralajmëruar këdo që rastësisht përfundon aty se përtej nuk mund të kalohet.
Pak metra më poshtë, trupi i rrugës ka rrëshqitur plotësisht; blloqet e asfaltit janë ndarë dhe kanë rënë poshtë, duke marrë me vete dherat e bazamentit dhe barrierat mbrojtëse metalike.Kjo nuk është shfaqje post-apokaliptike, por pamja e një investimi që sipas kryeministrit Edi Rama ishte gati i përfunduar në tetor të vitit 2025.Investimi publik i pagëzuar me emrin e tenderit “Sistemim asfaltim rrugët e Drejtorisë së Rajonit Verior Shkodër, Unaza e Madhe Burrel”, i kontraktuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë rreth 1.3 milionë euro ka degraduar përpara se të vihej në punë. Arsyet e shembjes mbeten të pasqaruara zyrtarisht, por pa u mbyllur kjo çështje, ARRSH ka hapur një tender të dytë rreth 1 milion euro për punime emergjence në të njëjtin segment.
Ndërhyrja e re i bën ekspertët dhe banorët e zonës të dyshojnë se ka një përpjekje për të mbuluar dëmin e shkaktuar më herët. Sipas tyre, nxitimi mund të sjellë probleme të ngjashme dhe se defektet duhen parë te projekti.“Shkaqet e dështimit, në përfundimin me sukses të çdo objekti ndërtimor më së pari, duhen kërkuar tek projekti, pasi ai duhet t’i konsiderojë të gjithë faktorët ndikues. Projektet ndërtimore nuk duhet të fillojnë asnjëherë pa u mbështetur në një studim të plotë e të miratuar nga instancat përkatëse të gjeologjisë së truallit”, i tha BIRN prof. Gafurr Muka nga Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave.Në një linjë, deputetja e opozitës, Denisa Vata tha se ndërhyrja e re nuk jepte garanci. “Nëse investimi fillestar nuk ka rezultuar funksional, mbi çfarë analize teknike dhe ekonomike mbështetet vlerësimi se një ndërhyrje e re do ta adresojë problematikat ekzistuese?”, tha ajo.
Të pyetur nga BIRN për rastin, as ARRSH dhe as Bashkia e Matit nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi.Shembja e rrugës së re në Burrel nuk është një rast i izoluar. Vetëm vitin e shkuar dhe në fillim të këtij viti, një sërë segmentesh rrugore në vend, disa të vjetra dhe të tjera në ndërtim e sipër pësuan shembje apo dëmtime të dukshme.Më i rëndi ishte shembja e një pjese të rrugës në punim e sipër mes Librazhdit dhe Pogradecit, e cila bllokoi për javë me radhë lidhjen e Korçës me Tiranën. Po ashtu, një segment kontrovers me kosto të lartë që lidh Qukësin me Qafë Plloçën pësoi shembje dy muaj pas inaugurimit nga kryeministri Rama. Rruga u inaugurua në shtator dhe u shemb në nëntor 2025.





















