Klubi “Labëria” mbetet pjesë e historisë së Vlorës dhe Labërisë

Një takim i rëndësishëm mes drejtuesve të Shoqatës “Labëria” dhe Kryetares së Bashkisë Vlorë, znj. Brunilda Mersini, sjell qartësi për të ardhmen e godinës historike ku është themeluar Klubi Patriotik “Labëria” dhe ku sot ndodhet Muzeu Etnografik i Vlorës. Në një kohë kur në opinionin publik të Vlorës kishin nisur të qarkullonin informacione të pasakta dhe të pakonfirmuara mbi të ardhmen e godinës historike të Klubit Patriotik “Labëria”, zhvillimi i një takimi mes drejtuesve të Shoqatës “Labëria” dhe Kryetares së Bashkisë Vlorë merr një rëndësi të veçantë. Ditën e djeshme, Kryetari i Shoqatës “Labëria”, z. Agim Çiraku, së bashku me Kryetarin e Shoqatës “Labëria” për Vlorën, z. Ahmet Demaj, si dhe përfaqësues të tjerë të shoqatës, ndër ta z. Ago Nezha, z. Namik Jahaj dhe z. Albert Habazaj, zhvilluan një takim me Kryetaren e Bashkisë Vlorë, znj. Brunilda Mersini.  Në qendër të bisedës ishte një çështje me rëndësi jo vetëm për Shoqatën “Labëria”, por për gjithë qytetin e Vlorës. Tema e diskutimit ishte ruajtja e identitetit historik dhe kulturor të godinës ku është themeluar Klubi Patriotik “Labëria” dhe ku sot funksionon Muzeu Etnografik i Vlorës.

Një takim për të sqaruar të vërtetën

Sigal

Takimi kishte në thelb qëllimin e qartë që të vendoste mbi bazën e komunikimit të drejtpërdrejtë institucional të vërtetën për të ardhmen e kësaj godine pasi prej  kohësh kishin qarkulluar zëra se godina mund të pësonte ndryshime që do të cenonin funksionin dhe vlerat e saj historike. Në mungesë të një informacioni zyrtar, këto zëra kishin krijuar shqetësim te pjesëtarët e Shoqatës “Labëria” dhe te një pjesë e opinionit qytetar. Por nga takimi i zhvilluar me Kryetaren e Bashkisë Vlorë u bë e qartë se nuk bëhet fjalë për tjetërsimin e godinës. Përkundrazi, mesazhi i përcjellë nga Kryetarja e Bashkisë Vlorë ishte se godina do të vijojë të trajtohet në funksion të ruajtjes së vlerave të saj historike dhe kulturore. Një element veçanërisht i rëndësishëm i diskutimit ishte informacioni se nga Fondi Amerikan AADF është akorduar një fond prej rreth 200 milionë lekësh të vjetra për rikonstruksionin e godinës. Ky informacion është konfirmuar edhe në komunikimin që Kryetari i Shoqatës “Labëria” për Vlorën, z. Ahmet Demaj, ka pasur me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit Z. Blendi Gonxhe. Pra, në vend të një skenari të tjetërsimit, ajo që po artikulohet institucionalisht është një tjetër qasje, siç është investimi, rikonstruksioni dhe ruajtja e vlerave historike të objektit.

Angazhimi për ruajtjen e një dëshmie të historisë së Vlorës

Gjatë takimit, Kryetarja e Bashkisë Vlorë, znj. Brunilda Mersini, ka shprehur një qëndrim korrekt dhe konstruktiv ndaj shqetësimit të ngritur nga drejtuesit e Shoqatës “Labëria”. Disponibiliteti i treguar nga ana e saj nuk lidhet vetëm me rikonstruksionin fizik të godinës, por edhe me rëndësinë që ajo mbart si objekt me vlera historike dhe kulturore. Një element që meriton të evidentohet është se një godinë historike nuk është thjesht një pasuri e paluajtshme. Në raste të tilla, muret, hapësirat dhe vetë objekti bëhen dëshmi e një periudhe të caktuar të historisë së qytetit. Prandaj, rikonstruksioni i saj duhet të shkojë paralelisht me ruajtjen e identitetit dhe autenticitetit historik të godinës dhe pikërisht për këtë arsye, qëndrimi i shprehur në këtë takim se gjatë ndërhyrjeve do të ruhen vlerat historike të godinës është një sinjal pozitiv.

Klubi Patriotik “Labëria”, një emër me peshë në historinë e Vlorës

Për të kuptuar rëndësinë e këtij objekti, duhet të kuptohet edhe historia e Klubit Patriotik “Labëria”. Klubet dhe shoqëritë patriotike shqiptare kanë qenë pjesë e rëndësishme e jetës politike, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe në vitet që pasuan. Në këtë traditë u krijua edhe Klubi Patriotik “Labëria”, i cili u shndërrua në një pikë të rëndësishme të jetës patriotike e kulturore të trevës së Labërisë dhe veçanërisht të Vlorës. Emri “Labëria” lidhet me një nga trevat më të rëndësishme të jugut shqiptar, e njohur për traditat patriotike, kulturën, folklorin, polifoninë, historinë dhe kontributin e saj në lëvizjen kombëtare shqiptare. Pikërisht për këtë arsye, godina ku është themeluar dhe ka vepruar Klubi “Labëria” nuk duhet parë vetëm si një objekt fizik por si pjesë e memories historike të qytetit. Klubi “Labëria” është një hapësirë që lidhet me veprimtarinë e njerëzve dhe brezave që kanë kontribuar në jetën shoqërore e kulturore të Vlorës dhe të trevës së Labërisë.

Muzeu etnografik, një tjetër vlerë e qytetit

Në të njëjtën godinë ndodhet edhe Muzeu Etnografik i Vlorës, një institucion që ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore të qytetit dhe të trevës. Muzeu Etnografik përfaqëson një kujtesë të gjallë të mënyrës së jetesës, traditave, veshjeve, zejeve, zakoneve dhe kulturës materiale të banorëve të kësaj treve. Nëpërmjet objekteve dhe materialeve të ekspozuara, vizitorët kanë mundësi të njihen me një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor të Vlorës dhe të Labërisë. Kështu, godina mbart një rëndësi të dyfishtë pasi nga njëra anë është e lidhur me historinë patriotike të Klubit “Labëria”, ndërsa nga ana tjetër shërben si hapësirë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë etnografike. Pikërisht kjo e bën të domosdoshme që çdo ndërhyrje në të, të bëhet me kujdesin e duhur dhe duke respektuar karakterin e saj historik.

Një tjetër mesazh i rëndësishëm që përcolli ky takim është se dialogu dhe bashkëpunimi institucional janë mënyra më e mirë për të mbrojtur interesin publik dhe trashëgiminë historike të qytetit. Takimi mes Kryetarit të Shoqatës “Labëria”, z. Agim Çiraku, dhe Kryetares së Bashkisë Vlorë, znj. Brunilda Mersini, dëshmoi pikërisht këtë frymë. Nga njëra anë qëndron një organizim shoqëror që mbron dhe promovon vlerat historike, patriotike e kulturore të Labërisë dhe nga ana tjetër qëndron institucioni vendor, i cili ka angazhohet për administrimin, mirëmbajtjen dhe promovimin e pasurive kulturore dhe historike të qytetit. Kur këto dy aktorë ulen në një tryezë dhe komunikojnë drejtpërdrejt, rezultati është më i dobishëm për qytetin dhe në këtë kuadër, qëndrimi i Kryetares së Bashkisë Vlorë, znj. Brunilda Mersini, për ruajtjen e vlerave historike të godinës dhe angazhimi për rikonstruksionin e saj duhet parë si një hap pozitiv. Në çështje që lidhen me historinë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, është e rëndësishme që debati publik të mbështetet në fakte dhe në informacion zyrtar. Informacionet e pakonfirmuara për një tjetërsim apo ndryshim të destinacionit të godinës kishin krijuar shqetësim të panevojshëm. Takimi i zhvilluar së fundmi sjell një qartësi të rëndësishme se godina nuk po trajtohet si një objekt për t’u tjetërsuar, por si një pasuri që kërkon investim, rikonstruksion dhe ruajtje të vlerave të saj historike. Fakti që është akorduar një fond i konsiderueshëm për rikonstruksionin e saj është, në vetvete, një tregues i rëndësishëm i vëmendjes që po i kushtohet këtij objekti. Historia nuk ruhet vetëm në libra por ajo  ruhet edhe në godina, në objekte, në muze, në arkiva dhe në hapësirat ku kanë ndodhur ngjarje që kanë lënë gjurmë në jetën e një komuniteti dhe godina e Klubit “Labëria” është një prej këtyre dëshmive. Ruajtja e saj nuk është vetëm një interes i Shoqatës “Labëria”. Është një çështje që lidhet me kujtesën historike të Vlorës dhe me mënyrën se si qyteti ia përcjell historinë e vet brezave të ardhshëm, prandaj, angazhimi për rikonstruksionin e godinës dhe për ruajtjen e vlerave të saj historike është një zhvillim që duhet përshëndetur. Takimi mes drejtuesve të Shoqatës “Labëria” dhe Kryetares së Bashkisë Vlorë përcolli një mesazh të qartë se trashëgimia historike dhe kulturore e Vlorës duhet të ruhet përmes bashkëpunimit, dialogut dhe investimit. Shoqata “Labëria”, nën drejtimin e z. Agim Çiraku, ka treguar gatishmëri për të qenë pjesë aktive e këtij procesi, ndërsa Bashkia Vlorë, përmes Kryetares znj. Brunilda Mersini, ka shprehur disponibilitetin për të bashkëpunuar dhe për të mbështetur ruajtjen e vlerave të godinës. Ky është një model pozitiv i bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe institucioneve. Një qytet që respekton historinë e tij, respekton edhe të ardhmen e tij dhe godina ku është themeluar Klubi Patriotik “Labëria”, aty ku sot ndodhet Muzeu Etnografik i Vlorës, meriton të mbetet një dëshmi e gjallë e historisë, kulturës dhe identitetit të Vlorës dhe Labërisë.