Udhëzim i ri për gjurmimin e aseteve të politikanëve dhe bosëve të krimit

SPAK vendos rregulla të unifikuara për mënyrën se si do të hetojë paratë dhe pasuritë në dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, ka firmosur një udhëzim të ri që miraton modelin tip të analizës financiare për hetimet financiare dhe pasurore.

Dokumenti i siguruar nga ‘Pamfleti’, ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është i detyrueshëm për hetuesit financiarë, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorët e SPAK.

Sigal

Në praktikë, udhëzimi synon të standardizojë mënyrën e ndjekjes së gjurmës së parave dhe pasurive në hetimet e SPAK, nga evidentimi dhe analiza financiare deri te dokumentimi i rezultateve të hetimit.Kjo merr rëndësi veçanërisht në dosjet që lidhen me korrupsionin e zyrtarëve dhe politikanëve, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave, ku krahas hetimit të veprës penale mund të verifikohet edhe burimi i pasurive të personave nën hetim dhe lidhjet e tyre financiare.Udhëzimi i Brahos ndërton një mekanizëm të përbashkët pune për tre hallkat e përfshira në këto hetime: prokurorët, hetuesit financiarë dhe hetuesit e BKH-së.

Modeli i ri përbëhet nga katër pjesë: relacioni tip për hetimin financiar dhe pasuror me anekset përkatëse; analiza financiare në format Excel; lista e institucioneve dhe subjekteve nga të cilat administrohet informacioni dhe dokumentacioni; si dhe metodologjia e kryerjes së analizës financiare.

Relacioni financiar shërben për të përmbledhur rezultatet e verifikimeve pasurore, duke vendosur përballë pasuritë dhe të ardhurat e ligjshme, si dhe duke evidentuar transaksionet dhe lidhjet financiare që rezultojnë gjatë hetimit.Në një hetim të tillë mund të analizohen prona, llogari dhe transferta bankare, automjete, pjesëmarrje në kompani, të ardhura të deklaruara dhe elementë të tjerë financiarë që ndihmojnë në rindërtimin e profilit pasuror të personit nën hetim.