Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, zhvilluan një takim me z. Paulo Zampolli, të Dërguarin Special të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Partneritetet Globale. Gjatë takimit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike përcollën qëndrimin e palëkundur të PD-së për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shprehën mbështetjen e saj për administratën e Presidentit Donald Trump.
Në takim u diskutua gjerësisht mbi situatën politike, institucionale dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe mbi sfidat që, sipas opozitës, po cenojnë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe funksionimin normal të institucioneve.Gjatë takimit u diskutua gjithashtu ajo që përfaqësuesit e Partisë Demokratike e cilësuan si “axhenda Soros” në Shqipëri. Sipas tyre, kjo axhendë ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit dhe ka cenuar parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një demokraci e konsoliduar dhe një shtet ligjor funksional. Z. Paulo Zampolli shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë me opozitën shqiptare dhe për të ndihmuar që Shqipëria të ecë përpara në proceset e veta demokratike.





















