Trajneri i Borussia Dortmund, Niko Kovac, ka konfirmuar se Daniel Svensson dhe Konstantinos Karetsas janë në formë të mirë dhe të disponueshëm për ndeshjen e sotme në Champions League, në shtëpi kundër Villarrealit.
Asnjëri lojtar nuk mori pjesë në stërvitjen e plotë të ekipit të Dortmund të hënën, por Kovac tha se nuk kishte arsye për shqetësim në lidhje me gjendjen e tyre fizike.
“Kjo ishte krejtësisht normale. Mund të ndodhë herë pas here që të lejojmë një ose dy lojtarë të rikuperohen në dhomën e zhveshjes ose në palestër,” tha Kovac në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes.
“Të dy janë në shëndet të përsosur dhe janë opsione për ndeshjen“, shtoi kroati. Megjithatë, Dortmund do të jetë pa Filippo Mane pasi mbrojtësi pësoi një dëmtim muskulor gjatë fitores 3-2 të së shtunës në Bundesliga kundër Hoffenheim.
“Nuk duhet të nënvlerësojmë asgjë dhe askënd. Kjo është ndeshja e parë në Champions, luajmë në shtëpi dhe duam të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të fitojmë para tifozëve tanë”, tha Kovac.
“E dimë që në Champions nuk ka ndeshje të lehta, ndaj duhet kujdes dhe përqendrim për 90 minuta”, deklaroi Kovac.







