Politike
Erion Veliaj festoi me whiskey për urdhërarrestin e Arben Ahmetajt. Do hapte një shishe tjetër kur ai të ekzekutohej
7 Shtator, 2026 | 10:48 pm

Në një intervistë për “Çim Peka Live”, Arben Ahmetaj ka bërë deklarata të forta, duke pretenduar se segmente brenda SPAK-ut kanë qenë në dijeni se dërgimi i tij me shpejtësi në burg mund të rrezikonte edhe jetën e tij. Ai pretendoi gjithashtu se ndaj tij janë përdorur grupe kriminale për ta kërcënuar.
Gjatë intervistës për Syri.tv, Ahmetaj kundërshtoi akuzat ndaj tij, duke iu referuar dokumenteve që, sipas tij, lidhen me qarkun e Fierit dhe ku nuk figuron as emri i tij dhe as Ministria e Ekonomisë.
“Po për çfarë më akuzojnë? Sepse kreu i organizatës donte kokë turku”, deklaroi ish-zëvendëskryeministri.
Ahmetaj hodhi më pas akuza edhe ndaj Erion Veliajt. Sipas pretendimit të tij, ditën kur është lëshuar urdhri për arrestimin e Ahmetajt, Veliaj ka festuar me drejtorët e tij duke hapur shishe uiski.
Ai e lidhi gjithashtu Veliajn me çështjen “5D”, duke pretenduar se ish-kryebashkiaku kishte besuar se arrestimi i Ahmetajt do t’i jepte fund goditjeve të tjera nga drejtësia.
Por deklarata më e fortë e Ahmetajt lidhej me atë që ai pretendon se mund t’i kishte ndodhur nëse do të përfundonte në burg. Ish-zëvendëskryeministri tha se ekzistonte rreziku që të eliminohej fizikisht dhe se, sipas tij, disa persona do të kishin festuar edhe vdekjen e tij.



















































