Lajme
Makth në një familje në Kosovë! I riu i vë flakën motrës dhe plagos rëndë nënën
7 Shtator, 2026 | 10:03 pm

Një ngjarje e rëndë brenda një familjeje ka tronditur fshatin Potreq të Klinës, ku një vajzë ka humbur jetën si pasojë e plagëve të rënda të shkaktuara nga zjarri, ndërsa nëna e saj ka mbetur e plagosur rëndë.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ndodhi një ditë më parë. Si i dyshuar është arrestuar vëllai i viktimës, i cili dyshohet se fillimisht i vuri zjarrin shtratit ku ndodhej motra e tij.
Më pas, sipas dyshimeve të autoriteteve, ai ka shkuar në një dhomë tjetër të banesës dhe ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë, duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Policia ndërhyri në vendngjarje dhe arrestoi të dyshuarin, ndërsa dy gratë e plagosura u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ato u transferuan më pas në QKUK në Prishtinë.
Policia njoftoi se vajza, e cila kishte pësuar plagë të rënda nga zjarri, nuk arriti të mbijetonte. Vdekja e saj u konstatua nga ekipi mjekësor.
Sipas raportimeve të mediave vendase, i dyshuari u ndalua fillimisht për 48 orë dhe më pas u dërgua në repartin e psikiatrisë të Spitalit Rajonal të Pejës, ku po merr trajtim nën mbikëqyrjen e policisë.
Rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësia penale e të dyshuarit pritet të përcaktohen nga hetimet.



















































