Showbiz
Françeska Murati flet për ish-partnerin dhe jetën pas ndarjes: “Jemi miq të ngushtë”
8 Shtator, 2026 | 10:12 am

Françeska Murati ka folur për herë të parë hapur për marrëdhënien me babain e djalit të saj, duke konfirmuar se historia e tyre si çift ka përfunduar prej kohësh.
E ftuar në “Ftesë në 5”, Françeska vendosi t’u japë fund aludimeve që kanë qarkulluar rreth jetës së saj private. Ajo tregoi se ndarja ka ndodhur kohë më parë, por mes tyre vazhdon të ekzistojë një marrëdhënie shumë e mirë.
“Për ta thënë një herë e mirë, ne jemi ndarë. Kemi një kohë të gjatë që jemi ndarë”, u shpreh ajo.
Françeska shpjegoi se lidhja mes tyre është sot ajo e dy njerëzve që kanë kaluar një pjesë të madhe të jetës së bashku. Ata njihen që prej moshës 15-vjeçare dhe, sipas saj, vazhdojnë ta duan dhe respektojnë njëri-tjetrin si miq.
Ajo hodhi poshtë edhe komentet që e lidhin ndarjen me pjesëmarrjen e saj në “Big Brother VIP”, duke i cilësuar këto pretendime si trillime. Françeska tregoi se takohet çdo ditë me ish-partnerin dhe se edhe familjet e tyre vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira.
“Ne jemi ‘best friends’, sepse jemi rritur bashkë”, tha ajo, duke e përshkruar babain e djalit të saj si “një njeri fantastik”.
Arsyeja pse kishte zgjedhur të mos e bënte publike më herët ndarjen lidhet, sipas saj, me faktin se ish-partneri nuk është personazh publik dhe nuk ka zgjedhur të jetë pjesë e vëmendjes mediatike.
Françeska sqaroi gjithashtu zërat se në jetën e saj mund të kishte hyrë një person i ri. Sipas saj, një fotografi që kishte nxitur aludimet për një lidhje të re ishte manipuluar.
“Ajo është bërë me Photoshop”, deklaroi Françeska, duke shtuar se fotografitë e saj janë modifikuar disa herë edhe me inteligjencë artificiale. Ajo tha se në rastin konkret ndodhej me një shoqe dhe se në imazh ishte shtuar diçka që nuk ekzistonte në fotografinë reale.
Ish-banorja e “Big Brother VIP” pranoi se është lodhur nga lajmet dhe aludimet për jetën e saj sentimentale, duke theksuar se nuk mund të kalojë kohën duke përgënjeshtruar çdo pretendim që shfaqet në rrjet.
“Unë jam njeri privat, jo sekret”, përfundoi ajo.













































