Pak përpara seancës së sotme të Kuvendit (17:00), përfundoi mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ku është vendosur paraqitja e një kërkese për nisjen e një hetimi parlamentar lidhur me atë që opozita e cilëson si “afera KAYO”.
Vendimi i grupit të PD-së vjen pas denoncimeve të bëra publikisht nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka publikuar edhe materiale audio që lidhen me veprimtarinë e kompanisë KAYO dhe çështje të tjera që pretendohet se prekin pasuritë dhe interesat strategjike të vendit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka kërkuar ndërkohë edhe administrimin dhe hetimin e materialeve të bëra publike nga Ahmetaj, duke i cilësuar pretendimet si mjaft serioze dhe që kërkojnë verifikim institucional.
Kërkesa për hetim parlamentar pritet të formalizohet nga deputetët demokratë dhe të depozitohet në Kuvend. Në fokus të saj do të jetë verifikimi i akuzave dhe pretendimeve të ngritura rreth “aferës KAYO”, përfshirë mënyrën e funksionimit të kompanisë dhe marrëdhëniet e saj me interesa private.
Denoncimet e Ahmetajt kanë hapur një debat të ri politik, ndërsa opozita kërkon që pretendimet të mos mbeten vetëm në nivelin e akuzave publike, por të shqyrtohen përmes mekanizmave institucionalë dhe parlamentarë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/