Përfundon seanca e parë plenare në Parlament, vijon protesta para Kryeministrisë
Pas gati një ore ka përfunduar seanca plenare në Kuvend ndërsa pasditen e sotme u çel sesioni i ri i legjislaturës së 11-të. Deputetët u mblodhën në sallën e seancave plenare në orën 17:00, në një seancë me karakter kryesisht ceremonial. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD, Sali Berisha nuk ishin të pranishëm në seancë.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa në vijim u zhvilluan procedurat që lidhen me nisjen zyrtare të sesionit të ri.
Në seancën e sotme plenare është votuar me 79 vota pro Evis Kushi e cila zgjidhet nënkryetare e Kuvendit. Në momentin e votimit opozita ka bojkotuar votimin duke u larguar nga salla. Gjithashtu u votua edhe dekreti i presidentit për ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.
Gjithashtu krahas seancës plenare u zhvillua edhe një protestë para ambienteve të Kuvendit teksa policia ka marrë masat. Edhe pas mbylljes së seancës, protesta ka vijua teksa u regjistruan tensione duke hedhur vezë në drejtim të policisë.
Deri më tani mësohet janë shoqëruar disa persona. Forca të shumta të policisë kanë bllokuar nga të dyja krahet hyrja në rrugen “Xhorxh Bush” dhe në pedonale për të shmangur problematika nga protestuesit. Pas protestës para Parlamentit, qytetarët u zhvendosën në protestë para Kryeministrisë duke ndjekur axhendën e tyre të përditshme.
Lajm në përditësim…
Incidenti me disa protestuese, reagon Luarasi: Do e denoncoj këtë rast, drejtësia të veprojë
Deputetja socialiste, Iris Luarasi ka postuar së fundmi një video ku ka reaguar lidhur me tensionet e regjistura këtë të martë para nisje të seancës plenare, ku disa protestues e ndoqën teksa ajo po shkonte drejt ambienteve të Parlamentit.
Në video ajo shprehet se këtë rast do ta denoncojë dhe do të lërë drejtësinë të veprojë. Ajo u shpreh se fyerja nuk është protestë, poshtërimi nuk është aktivizëm dhe dhuna nuk bëhet më pak dhunë se ushtrohet nga vajza.
“Kur fyerja vishet si protestë dhe dhuna verbale shitet si aktivizëm, cila duhet të jetë përgjigjja?? Unë zgjedh të flas, pa ulur kokën, pa humbur dinjitetin, pa fyer”, shkruan ajo bashkëngjitur me videon e regjistruar në Kuvend.
Përplasje me qytetarët, policia nis shpërndarje e protestuesve dhe shoqërimin e tyre
Në protestën e pasdites së sotme ka pasur konfrontime fizike mjaft të shumta mes protestuesve dhe policisë.
Raportohet se tashmë policia ka nisur shpërndarjen e protestuesve pas përplasjeve me domate, shishe uji dhe vezë.
Një autobot me ujë është bërë gati gjithashtu, në rast të rritjeve të tensioneve. Policia ndërkohë ka vazhduar shoqërimet ndaj disa protestuesve.
Tensione para Kuvendit, shoqërohet Adriatik Lapaj (VIDEO)
Tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë janë shënuar jashtë ambienteve të Kuvendit, gjatë protestës së zhvilluar këtë pasdite.
Gjatë ndërhyrjes së policisë është shoqëruar edhe kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Në një video të publikuar nga “Shqipëria Bëhet”, pretendohet se Lapaj ka mbetur i lënduar gjatë momentit të shoqërimit.
Ndërkohë, protestuesit pretendojnë se gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë ndaj Lapajt është përdorur dhunë.
Përplasjet kanë vijuar në zonën përreth Kuvendit, ndërsa forca të shumta policie ndodhen në terren për menaxhimin e situatës.
Tensione të protestë, policia bën thirrje për shpërndarje, bëhet gati autoboti me ujë
Tensione janë regjistruar në protestën që po zhvillohet pranë ambienteve të Kuvendit teksa nuk kanë munguar përplasjet me policinë.
Policia iu ka bërë vazhdimisht thirrje protestuesve që të shpërndahen ndërkohë që është bërë gati edhe një autobot me ujë.
Qytetarë të shumtë i janë bashkuar ditës së 101-të të protestës teksa shihen me pankarta në duar duke bërë thirrje kundër policisë.
Nis sesioni i ri i Kuvendit, Balla: Integrimi në BE brenda vitit 2030, mision kombëtar
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar në nisjen e sesionit të ri parlamentar se Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare sa i përket procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Balla tha se grupi parlamentar socialist do të organizojë marrëdhënien me qytetarët përmes “Besës” dhe “Pranisë Besnike”.
“Ne, si grup parlamentar, hyjmë në këtë sesion në një mënyrë të re të organizimit të marrëdhënies sonë me njerëzit, përmes “Besës” dhe “Pranisë Besnike”. Ky është një sesion me një peshë të madhe përgjegjësie për detyrat që ka ky institucion drejtues në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Shqipëria ka hyrë në fazën vendimtare të negociatave. Objektivi ynë politik është i qartë: mbyllja e negociatave teknike deri në vitin 2030 dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade, pra deri në vitin 2030.Ky është një objektiv kombëtar.”, tha ai.
Me 79 vota pro, Evis Kushi zgjidhet nënkryetare e Kuvendit. Opozita bojkoton
Në seancën e sotme plenare është votuar me 79 vota pro Evis Kushi e cila zgjidhet nënkryetare e Kuvendit. Në momentin e votimit opozita ka bojkotuar votimin duke u larguar nga salla. Gjithashtu sot u votua edhe dekreti i presidentit për ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.
Siç shihet edhe nga pamjet, deputetët demokratë ngrihen nga karriget e tyre duke lënë sallën teksa po bëhej gati votimi. Votimi vijoj normalisht teksa 79 votuan pro dhe zero abstenim.
Sesioni i ri, Bardhi: Kuvendi po përdoret në interes të Ramës, zhduku 2.1 mln metër katrorë tokë shtetërore
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën, në fjalën e mbajtur në nisje të sesionit të ri parlamentar, se po përdor Kuvendin për miratimin e ligjeve që, sipas tij, janë në interes të kryeministrit Edi Rama.
Bardhi u ndal te ligji për investimet strategjike, duke pretenduar se përmes këtij ligji qeveria i ka dhënë kryeministrit mundësinë për të disponuar mbi miliona metra katrorë tokë shtetërore.
“Ju e keni bërë këtë prej 13 vitesh. Kjo maxhorancë, nën drejtimin e Edi Ramës, ka noterizuar kapjen e shtetit dhe plaçkitjen e Shqipërisë”, deklaroi Bardhi.
Bardhi pretendoi gjithashtu se ligji për investimet strategjike i ka krijuar mundësi kryeministrit Rama që të japë pasuri publike për interesa private.
“Ju, me ligjin e investimeve strategjike, i keni dhënë Ramës mundësi të zhdukë për interesa thellësisht private dhe plotësisht të pista 2.1 milionë metra katrorë tokë shtetërore në zonat më të bukura të Shqipërisë”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Bardhi u ndal edhe te çështja KAYO, për të cilën Partia Demokratike ka njoftuar më herët se do të paraqesë kërkesë për hetim parlamentar.
Ai akuzoi qeverinë se kompanitë shtetërore po përdoren për transferimin e pasurive dhe parave publike te subjekte private të përzgjedhura.
“Kompanitë shtetërore përdoren për të kaluar pasuritë dhe paratë publike te privatët e përzgjedhur. Ndërsa drejtësia ndëshkon ndonjë vartës, por nuk prek atë që drejton skemën, Edi Ramën”, tha Bardhi.
Duke iu referuar krijimit të KAYO-s, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së pretendoi se vota e mazhorancës i ka dhënë një kompanie shtetërore kontroll mbi prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe teknologjive ushtarake.
Bardhi ngriti akuza edhe lidhur me strukturën e pronësisë së kompanisë, duke pretenduar se shteti zotëron 20% të aksioneve, ndërsa 80% i përket një subjekti privat të lidhur, sipas tij, me biznesmenin Ron Jefeti.
Partia Demokratike ka kërkuar që çështja KAYO të bëhet objekt i një hetimi parlamentar.
Evis Kushi nënkryetarja e re e Kuvendit, Balla: Urime, kemi besim te profesionalizmi yt
Pas zgjedhjes së Evis Kushit si nënkryetare e Kuvendit, ka reaguar Taulant Balla teksa e përgëzon duke u shprehur besimplotë ndaj punës që pritet të bëjë nënkryetarja e re.
Zgjedhja vjen pas propozimit të PS-së i cili është bërë me dije në mbledhjen e grupit përpara seancës plenare që do zhvillohet sot.
Reagimi i plotë i Ballës:
Një gocë kalajse Elbasani nënkryetare e Kuvendit. Urime Evis Kushi për zgjedhjen dhe kemi të gjithë si Grup Parlamentar besim se do ta bësh me shumë profesionalizëm këtë detyrë.
Tensione në protestë, protestuesit hedhin vezë në drejtim të policisë
Tensione janë regjistruar në protestën që po zhvillohet pranë ambienteve të Kuvendit teksa siç shihet edhe nga pamjet protestuesit po hedhin vezë në drejtim të policisë.
Qytetarë të shumtë i janë bashkuar ditës së 101-të të protestës teksa shihen me pankarta në duar duke bërë thirrje kundër policisë.
“Policia e krimit”, thërrasin një zëri protestuesit të cilët më pas kanë bërë thirrje edhe ndaj qeverisë ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kuvendi çel Sesionin III të Legjislaturës XI, Peleshi: Anëtarësimi në BE, prioriteti numër një
Kuvendi i Shqipërisë ka çelur sot punimet e Sesionit III të Legjislaturës XI, duke rikthyer aktivitetin parlamentar pas periudhës së pushimeve.
Në seancën e parë plenare të sesionit të ri, fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili theksoi përgjegjësinë e Parlamentit për të vijuar punën në funksion të qytetarëve dhe interesit të vendit.
Peleshi e cilësoi anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian si prioritetin numër një të Kuvendit, duke nënvizuar se vendi e ka bërë zgjedhjen e tij europiane dhe tashmë duhet të vijojë punën për përmbushjen e objektivit.
“Shqipëria e ka zgjedhur Europën, tani duhet të bëjmë punën që na çon atje”, u shpreh Peleshi.
Kryetari i Kuvendit vuri theksin edhe te nevoja për një Parlament më aktiv, më të hapur ndaj qytetarëve dhe me më shumë llogaridhënie e përgjegjësi.
“Ky sesion duhet të jetë një tjetër hap përpara në forcimin e rolit të Kuvendit, në cilësinë e ligjbërjes dhe në përmbushjen e përgjegjësive tona ndaj qytetarëve”, deklaroi ai.
Peleshi u ndal gjithashtu te rëndësia e dialogut parlamentar, bashkëpunimit institucional dhe respektimit të rolit të institucioneve, duke theksuar se qytetarët presin punë konkrete dhe rezultate nga përfaqësuesit e tyre.
Sesioni i ri parlamentar nis me një axhendë të ngjeshur, ndërsa Kuvendi pritet të vijojë shqyrtimin e nismave ligjore, reformave dhe çështjeve me rëndësi për vendin.
Në përfundim të fjalës së tij, Peleshi theksoi se puna e Parlamentit duhet të vlerësohet përmes rezultateve konkrete në shërbim të qytetarëve dhe Shqipërisë.
Protesta para Parlamentit, shoqërohen dy protestues
Ka nisur edhe protesta para ambienteve të Parlamentit teksa siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes, qytetarë të shumtë i janë bashkuar ditës së 101-të të protestës. Ata shihen me pankarta në duar teksa kanë bërë thirrje kundër policisë e cila ka rrethuar institucionin e Parlamentit.
“Policia e krimit”, thërrasin një zëri protestuesit të cilët më pas kanë bërë thirrje edhe ndaj qeverisë ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndër të tjera mësohet se policia ka shoqëruar dy protestues të cilët po protestonin pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Marjana Koçeku rikthehet në Parlament, ulet në krah të deputetëve të opozitës
Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, është rikthyer në Kuvend në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar të legjislaturës së 11-të.
Koçeku, e cila disa muaj më parë u largua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, është ulur në krah të deputetëve të opozitës gjatë seancës së sotme plenare.
Ndërkohë, para nisjes së seancës plenare është bërë me dije se Evis Kushi do të jetë propozimi i Partisë Socialiste për postin e nënkryetares së Kuvendit. Propozimi është bërë i ditur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, përpara nisjes së seancës.
Paralelisht me seancën plenare, para ambienteve të Kuvendit po zhvillohet edhe protesta, e cila sot shënon ditën e 101-të të saj.
Policia ka marrë masa të shtuara për mbarëvajtjen e situatës. Forca të shumta policie kanë bllokuar hyrjet nga të dyja anët e rrugës “Xhorxh Bush”, si dhe kalimin në pedonale, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme gjatë protestës.
Protestuesit ndjekin deputeten e PS-së teksa hyn në Parlament: Nuk i përfaqëson gratë
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, është përballur me protestuesit teksa po kalonte përmes një qendre tregtare, në drejtim të Parlamentit.
Ndërsa protestuesit kishin nisur të grumbullohen, disa prej tyre e kanë ndjekur deputeten brenda ambienteve të qendrës tregtare.
Aktivistja Arvina Lleshi, së bashku me disa protestues të tjerë, i kanë drejtuar Luarasit akuza dhe thirrje, duke e cilësuar “hajdute” dhe duke i thënë se “nuk i përfaqëson gratë”.
“Mos fol në emër të grave! Ti nuk je mbrojtësja e grave! Ti nuk i përfaqëson gratë!”, i është drejtuar Lleshi deputetes.
Ngjarja ka ndodhur teksa protestuesit janë mbledhur pranë zonës së Parlamentit, në kuadër të protestës së parashikuar për t’u zhvilluar këtë pasdite.
Evis Kushi do të jetë nënkryetarja e re e Kuvendit
Evis Kushi do të jetë nënkryetarja e re e Kuvendit. Ky është propozimi i PS i cili u është bërë me dije në mbledhjen e grupit përpara seancës plenare që u zhvillua pasditen e sotme.
Evis Kushi zëvendëson në detyrë Klodiana Spahiun.
Klodiana Spahiu mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas largimit të Evis Salës nga detyra.
Protesta para Parlamentit, policia merr masa dhe rrethon zonën
Policia ka marrë masat lidhur me protestën e qytetarëve të paralajmëruar që do të mbahet para Parlamentit. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes, forca të shumta të policisë kanë bllokuar nga të dyja krahet hyrja në rrugen “Xhorxh Bush” dhe në pedonale.
Kjo protestë regjistron ditën e saj të 101-të ndërsa do të mbahet para Kuvendit përshak se ky institucion rikthehet në punimet parlamentare pas pushimeve verore, duke çelur sesionin e ri të legjislaturës së 11-të.
Deputetët do të mblidhen në sallën e seancave plenare në orën 17:00, në një seancë që pritet të ketë karakter kryesisht ceremonial.
Fjalën e hapjes do ta mbajë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa në vijim do të zhvillohen procedurat që lidhen me nisjen zyrtare të sesionit të ri.
Ende nuk është e konfirmuar nëse kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në seancën hapëse. Ndërkohë, lideri i opozitës, Sali Berisha, pritet të mungojë, pasi ndodhet në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Begaj mesazh për sesionin e ri parlamentar: Përgjegjësia ndaj Shqipërisë është e përbashkët
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh me rastin e nisjes së sesionit të ri parlamentar, duke u bërë thirrje deputetëve për bashkëpunim, dialog dhe përgjegjshmëri në përmbushjen e detyrave ndaj vendit dhe qytetarëve.
Begaj theksoi se një demokraci e konsoliduar nuk përcaktohet nga mungesa e dallimeve politike, por nga mënyra se si ato përballohen, duke nënvizuar se Kuvendi është institucioni ku debatet duhet të zhvillohen përmes argumenteve.
“Një demokraci e konsoliduar nuk përcaktohet nga mungesa e dallimeve. Përkundrazi, ajo dallohet nga mënyra se si i përballon ato. Dallimet politike bashkëjetojnë me demokracinë dhe Kuvendi është vendi ku ato duhet të shprehen, të debatohen dhe të përballen me argumente”, u shpreh Presidenti.
Begaj vlerësoi gjithashtu rëndësinë e protestës paqësore dhe shprehjes së lirë të mendimit, duke i cilësuar ato pjesë të natyrshme të jetës demokratike.
“Protesta paqësore dhe shprehja e lirë e mendimeve janë pjesë e natyrshme e jetës demokratike. Jo gjithmonë do të kemi të njëjtat qëndrime dhe jo çdo kërkesë mund të gjejë të njëjtën përgjigje. Është inkurajuese kur zëri i qytetarëve gjen hapësirë në debatin publik dhe merr vëmendjen e institucioneve. Sfida jonë e përbashkët është që kjo energji qytetare dhe ky angazhim institucional të ushqejnë një dialog që forcon besimin dhe ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve më të mira”, shkruan ai.
Në mesazhin e tij, Presidenti renditi edhe disa prej sfidave dhe objektivave kryesore të vendit, duke përmendur sigurinë kombëtare, shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën territoriale dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Begaj u ndal veçanërisht te procesi i integrimit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një projekt kombëtar që kërkon vazhdimësi, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët.
“Mandatet dhe bindjet politike janë të ndryshme, por përgjegjësia ndaj Shqipërisë është e përbashkët”, theksoi Presidenti.
Sa i përket reformës në drejtësi, Begaj tha se konsolidimi i saj mbetet një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të shtetit shqiptar, ndërsa i cilësoi rezultatet e SPAK-ut si një nga arritjet më të rëndësishme të reformës.
Në përfundim, Presidenti uroi që sesioni i ri parlamentar të shërbejë për forcimin e institucioneve, rritjen e besimit të qytetarëve te politika dhe shteti, si dhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Bardhi akuza qeverisë: Po cenohet pavarësia e sistemit gjyqësor
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar qeverinë për shkelje të detyrimeve kushtetuese lidhur me pagat e magjistratëve.
Deklarata e tij erdhi pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku Bardhi kundërshtoi mënyrën se si mazhoranca po trajton çështjen e pagave në sistemin e drejtësisë.
Sipas Bardhit, përgjegjësia për hartimin dhe propozimin e një projektligji që lidhet me pagat e magjistratëve i takon Këshillit të Ministrave, pasi çështja ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit.
Ai kritikoi nismën e dy deputetëve socialistë, duke pretenduar se ajo është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se mazhoranca nuk ka marrë masat e nevojshme për zbatimin e tij.
“Këshilli i Ministrave nuk e ka ushtruar detyrimin për të propozuar projektligj për pagat e magjistratëve. Nuk është detyrë e deputetëve të propozojnë çështje që prekin buxhetin e shtetit”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, nisma parlamentare nuk garanton zbatimin e vendimit të Kushtetueses dhe krijon pasiguri për funksionimin e gjykatave dhe administratës së drejtësisë.
Bardhi e cilësoi situatën si një problem serioz për pavarësinë e sistemit gjyqësor, ndërsa paralajmëroi se vonesat në adresimin e çështjes mund të sjellin pasoja në funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
Pagat e magjistratëve, Balla: Respektojmë vendimin e “Kushtetueses” kemi depozituar projektligjin
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në Konferencën e Kryetarëve lidhur me debatin për pagat e magjistratëve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Balla iu drejtua opozitës, duke theksuar se mazhoranca respekton vendimet e gjykatave dhe se nuk i kundërshton ato përmes protestave.
““Ne kemi respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të propozuar ligjin përkatës. Ky krah i Kuvendit nuk ka vënë asnjëherë në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të tjera. Ne nuk protestojmë si ju kundër gjykatave, ne respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit dhe jo e gjykatave, duke iu referuar parimit të ndarjes së pushteteve.
“Në botën demokratike, përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit, jo e gjykatave”, u shpreh Balla.
Sipas tij, Kuvendi ka ndjekur procedurat e parashikuara dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar brenda afateve projektligjin që adreson vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me statusin e magjistratëve.
Balla deklaroi se projektligji duhet të shqyrtohet me prioritet në komisionet parlamentare dhe më pas të kalojë për miratim në seancë plenare.
Bardhi debat me Peleshin në Konferencën e Kryetarëve: Zbatoni vendimet e Kushtetueses
Konferenca e Kryetarëve ka nisur në orën 11:00, ndërsa në mbledhje janë diskutuar çështje që lidhen me organizimin dhe punimet e Kuvendit në sesionin e ri parlamentar.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka pasur një përplasje me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, duke e akuzuar këtë të fundit për mosrespektim të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Bardhi e ka nisur fjalën e tij duke kritikuar Peleshin për mënyrën se si po interpretohet hierarkia e normave juridike.
“Ju jeni kryetari i Kuvendit i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën.”
Sipas Bardhit, Kuvendi po e nis sesionin e ri parlamentar në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa ai e ka lidhur këtë situatë edhe me mbylljen e sesionit të kaluar.
“Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave. Na folët këtu se si do të jetë sesioni i ri parlamentar, por ju po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën. E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese.”
Në vijim të debatit, Bardhi ka ngritur edhe çështjen e situatës në gjykata, duke akuzuar Kuvendin se nuk po zbaton një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pagat e gjyqtarëve.
“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe ju nuk merreni me atë çështje. Për ju nuk ka rëndësi Kushtetuta.”
Kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se ekziston edhe një vendim i Këshillit të Legjislacionit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por sipas tij, Kuvendi nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Ka një vendim të Këshillit të Legjislacionit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ju nuk veproni. Pasojat janë se gjyqtarët janë pa paga dhe sot gjykatat janë në krizë.”
Bardhi e ka bërë Kuvendin përgjegjës për situatën që, sipas tij, është krijuar në sistemin gjyqësor.
“Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.”
Në përfundim, Bardhi ka vijuar akuzat ndaj Peleshit, duke deklaruar se Kuvendi duhet të respektojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin nesër. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën.”
Kuvendi nis sot punimet, jashtë parlamenti është thirrur protestë
Kuvendi i Shqipërisë rikthehet sot në punimet parlamentare pas pushimeve verore, duke çelur sesionin e ri të legjislaturës së 11-të. Deputetët do të mblidhen në sallën e seancave plenare në orën 17:00, në një seancë që pritet të ketë karakter kryesisht ceremonial.
Fjalën e hapjes do ta mbajë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa në vijim do të zhvillohen procedurat që lidhen me nisjen zyrtare të sesionit të ri.
Ende nuk është e konfirmuar nëse kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në seancën hapëse. Ndërkohë, lideri i opozitës, Sali Berisha, pritet të mungojë, pasi ndodhet në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas rendit të ditës të përcaktuar më herët, seanca do të përfshijë procedurat e zakonshme parlamentare që shoqërojnë nisjen e një sesioni të ri, si dhe miratimin e dokumentacionit të mbetur nga seanca e fundit plenare, e zhvilluar në fund të muajit korrik.
Përpara nisjes së seancës plenare, rreth orës 11:00, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve. Në këtë mbledhje do të diskutohen dhe miratohen projektprogrami i punës së Kuvendit dhe projektkalendari i punimeve për periudhën në vijim.
Sesioni i ri parlamentar pritet të jetë i ngarkuar politikisht, me reforma të rëndësishme në axhendë. Ndër çështjet që pritet të dominojnë diskutimet janë reforma zgjedhore dhe riorganizimi administrativo-territorial.
Veçanërisht kjo e fundit ka shkaktuar debate të forta politike dhe reagime në terren. Drafti i propozuar nga Partia Socialiste, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, është kundërshtuar nga opozita dhe grupe qytetarësh, të cilët kanë organizuar edhe protesta.
Ndërkohë, rikthimi i deputetëve në Kuvend pritet të shoqërohet edhe me një protestë jashtë godinës së Parlamentit. Protestuesit kanë paralajmëruar tubimin dhe kanë bërë thirrje për një reagim kundër deputetëve, duke paralajmëruar edhe hedhjen e vezëve dhe domateve.
Për shkak të protestës së paralajmëruar, pritet që Policia e Shtetit të marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të seancës së parë të sesionit të ri parlamentar.
“Sherri Jozi-Edi”, Karamuço: Po arrijnë në limite për famë dhe para
Të shtëna me armë në Laprakë, plagosen dy persona. Policia jep detaje (VIDEO)
Karamuço: Trafik armësh është bërë në 36 vite, kemi çuar armë në Ukrainë
- 22:17 “Sherri Jozi-Edi”, Karamuço: Po arrijnë në limite për famë dhe para
- 21:59 Izraeli mbyll konsullatën britanike në Jerusalem
- 21:56 Të shtëna me armë në Laprakë, plagosen dy persona. Policia jep detaje (VIDEO)
- 21:48 Karamuço: Trafik armësh është bërë në 36 vite, kemi çuar armë në Ukrainë
- 21:36 Trump: Irani është ndëshkuar rëndë nga bllokada amerikane
- 21:28 Kallas: BE dhe 12 vende janë pro sanksioneve ndaj vendbanimeve izraelite