6-mujori, 67% e transfertave bankare u kryen në rrugë dixhitale

Kanalet dixhitale po dominojnë gjithnjë e më shumë kryerjen e pagesave bankare.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 9.8 milionë transferta kreditimi (pagesa) të kryera nga klientët e sektorit bankar për 6-mujorin e parë të vitit 2026, afërsisht 6.6 milionë veprime ose 67% e totalit u kryen nëpërmjet kanaleve elektronike.
Në këtë shifër klasifikohen veprimet që kryhen nga klienti pa u paraqitur fizikisht në bankë, kryesisht nëpërmjet shërbimeve të internet banking dhe mobile banking.
Pesha e kanaleve elektronike është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, sidomos në periudhën pas pandemisë. Në mesin e vitit të kaluara to përbënin 65% të totalit, ndërsa në vitin 2019, veprimet e kryera pa shkuar fizikisht në bankë përbënin vetëm 39% të totalit.
Transfertat elektronike kanë fituar një peshë të konsiderueshme edhe të matura në vlerë.
Rreth 38% e vlerës së përgjithshme të transfertave për 6-mujorin 2026 u krye nëpërmjet internet banking/mobile banking.
Në fund të vitit 2025, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 1.95 milionë, në rritje vjetore me 44%. Vlerësohet se tashmë 49% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 39% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2024 dhe më pak se 20% që ishte në vitin 2020.
Përdorimi i kanaleve online është i rëndësishëm për të kursyer kohën, për të rritur eficiencën dhe për të ulur kostot e qytetarëve, por edhe të bankave. Përdorimi më i zgjeruar i kanaleve online ul numrin e veprimeve në degë dhe krijon hapësira që njësitë fizike të shërbimit të shfrytëzohen vetëm për marrjen e atyre shërbimeve dhe produkteve ku prania fizike është ende e domosdoshme.
Aktualisht, të gjitha bankat tregtare në Shqipëri ofrojnë shërbimet e internet banking. Kjo nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave dhe marrjen e shërbimeve të pagesave, pa qenë nevoja për shkuar domosdoshmërisht në degë.
Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga lehtësitë tarifore të vendosura nga Banka e Shqipërisë, që parashikon komisione më të ulëta për transfertat e kryera nëpërmjet kanaleve elektronike, krahasuar me ato që kryhen në degë.
Në rregulloren e re “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”, miratuar në shtator të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka shtuar edhe më shumë incentivat për kanalet elektronike të pagesave.
Për pagesat në nisje të iniciuara në formë elektronike, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 40 mijë lekë, bankat nuk duhet të aplikojnë komisione. Më parë, vlera maksimale e përjashtuar nga komisionet për transfertat e kryera në formë elektronike (nëpërmjet shërbimeve të internet banking ose mobile banking) ishte 20 mijë lekë.
Për transfertat mbi 40 mijë lekë, deri në vlerën e 10 milionë lekëve, që kryhen në rrugë elektronike komisioni maksimal i lejuar parashikohet në nivelin 0.005% të vlerës së transferuar.
Për transfertat në formë letër (që kryhen në degë) me vlerë deri në 10 milionë lekë, komisioni maksimal i lejuar është 0.01%.
Ndërkohë, në vitet e fundit spektri i shërbimeve që ofrohen pa shkuar fizikisht në degë po zgjerohet. Disa prej bankave kanë nisur të ofrojnë digital onboarding ose hapjen e llogarisë së klientit pa qenë nevoja për të shkuar fizikisht në degë. Kjo krijon më tej hapësira për të rritur numrin e produkteve dhe shërbimeve që mund të ofrohen online, duke përfshirë këtu edhe marrjen e kredive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









