Tuesday / September 8 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Menaxhim

Pse Gjenerata Z po has vështirësi me krijimin e kontakteve profesionale?

Share Share Icon

Të gjesh një punë të nivelit fillestar është bërë gjithnjë e më e vështirë në një treg pune ku kompanitë po tregohen më të kujdesshme me punësimet. Për Gjeneratën Z, kësaj vështirësie i shtohet edhe një tjetër: krijimi i lidhjeve profesionale që mund t’i ndihmojnë të hedhin hapin e parë në karrierë.

Të dhënat e reja të LinkedIn, të bazuara në një anketë me më shumë se 18 mijë profesionistë, tregojnë se të rinjtë e kuptojnë rëndësinë e marrëdhënieve profesionale në një treg pune konkurrues, por nuk dinë domosdoshmërisht si t’i ndërtojnë ato.

Rreth 53% e profesionistëve të Gjeneratës Z thonë se nuk janë të sigurt se nga duhet të fillojnë për të krijuar një marrëdhënie profesionale, ndërsa 52% e kanë të vështirë t’i shndërrojnë kontaktet që kanë në lidhje reale.

Kory Kantenga, drejtues për ekonominë në LinkedIn për Amerikën, thotë se shumë punonjës të rinj dinë si t’i dërgojnë dikujt një kërkesë për t’u lidhur në rrjetet profesionale, por vështirësia fillon më pas: si shndërrohet ky kontakt virtual në një marrëdhënie të mirëfilltë?

Sipas tij, të rinjtë duhet të kuptojnë se krijimi i rrjetit profesional nuk është diçka që bëhet vetëm një herë për të siguruar punën e parë pas universitetit. Është një proces që vazhdon gjatë gjithë karrierës dhe një aftësi që duhet zhvilluar vazhdimisht.

Rëndësia e tij është e matshme. Të dhënat e LinkedIn tregojnë se në SHBA, kandidatët për punë që kanë një kontakt brenda kompanisë ku aplikojnë kanë shtatë herë më shumë gjasa të punësohen.

Kantenga sugjeron katër mënyra për të krijuar marrëdhënie profesionale që mund të kenë ndikim real në karrierë.

1. Mos u mjaftoni me “Connect”: komentoni dhe përfshihuni në rrjetet sociale

Një nga mënyrat më të zakonshme që përdorin të rinjtë është t’u dërgojnë mesazhe njerëzve që nuk i njohin, duke u kërkuar 10 apo 15 minuta nga koha e tyre për një bisedë.

Kjo strategji mund të funksionojë. Sipas LinkedIn, 83% e profesionistëve të brezit Millennial dhe Gjeneratës X thonë se janë të gatshëm të ndihmojnë dikë që ndodhet në fillimet e karrierës, edhe kur nuk e njohin personalisht.

Por jo të gjithë ndihen rehat duke kontaktuar drejtpërdrejt një të panjohur.

Një mënyrë më organike është të filloni duke ndërvepruar me përmbajtjen që publikon personi me të cilin dëshironi të krijoni kontakt. Komentoni, pëlqeni postimet dhe bëhuni pjesë e grupeve apo komuniteteve profesionale që lidhen me fushën tuaj.

Vetëm anëtarësimi në një komunitet nuk mjafton. Duhet të ndani mendimet tuaja dhe të merrni pjesë në diskutime.

Në këtë mënyrë, personi tjetër jo vetëm kupton se e ndiqni punën e tij, por sheh edhe se keni këndvështrime, njohuri apo ide që mund t’i shtojnë vlerë një bisede profesionale.

2. Mos kërkoni të krijoni kontakte vetëm me drejtuesit

Kur ndërtojnë rrjetin profesional, shumë të rinj mendojnë se sa më i lartë të jetë pozicioni i një kontakti, aq më e vlefshme është lidhja.

Por kjo mund të jetë një qasje e gabuar.

Kantenga këshillon studentët dhe profesionistët në fillimet e karrierës të ndërtojnë marrëdhënie edhe me bashkëmoshatarët e tyre, me studentët që sapo diplomohen dhe me ish-studentë që kanë vetëm pak vite në tregun e punës.

Këta persona mund të jenë më të gatshëm të ofrojnë kohën e tyre dhe mund të japin informacione shumë praktike mbi mënyrën se si siguruan punën e parë, çfarë mjetesh përdorën dhe çfarë funksionoi për ta.

Ata gjithashtu mund të krijojnë ura drejt profesionistëve më të lartë në hierarkinë e kompanisë, të cilët mund të jenë shumë më të vështirë për t’u kontaktuar drejtpërdrejt.

Dhe ka edhe një arsye tjetër për të mos nënvlerësuar kolegët që sot janë në fillimet e karrierës: hierarkitë ndryshojnë.

Personi që sot duket shumë i ri për t’ju ndihmuar mund të jetë drejtuesi juaj pas disa vitesh. Një marrëdhënie e krijuar herët mund të sjellë mundësi që sot është e pamundur t’i parashikoni.

3. Tregoni çfarë mund të ofroni edhe ju

Mungesa e vetëbesimit është një nga pengesat kryesore që të rinjtë hasin në krijimin e marrëdhënieve profesionale.

Sipas LinkedIn, 37% e Gjeneratës Z shqetësohen se mund t’i bezdisin të tjerët ose kanë frikë se do të gjykohen kur përpiqen të krijojnë kontakte.

Një mënyrë për ta kapërcyer këtë pasiguri është të mos e shihni networking-un vetëm nga këndvështrimi i asaj që mund të merrni, por edhe të asaj që mund të jepni.

Në fillimet e karrierës mund të mos jeni në gjendje t’i ofroni dikujt një vend pune apo një mundësi biznesi. Por mund t’i ofroni informacion dhe njohuri.

Mund të jetë këndvështrimi juaj mbi një teknologji të re, një tendencë që sapo po shfaqet, një projekt ku keni punuar ose një ide që lidhet me punën e personit me të cilin dëshironi të krijoni marrëdhënie.

Njohuritë dhe ekspertiza që ndani mund të jenë pikërisht vlera që sillni në një marrëdhënie profesionale, edhe kur jeni në fillimet e karrierës.

4. Marrëdhëniet profesionale nuk ndërtohen brenda natës

Problemi tjetër është pritshmëria që networking-u të japë rezultate të menjëhershme, veçanërisht kur dikush po kërkon urgjentisht punë.

Por marrëdhëniet kërkojnë investim dhe kohë.

Ato nuk duhet të funksionojnë vetëm në një drejtim. Duhet të ketë shkëmbim, interes dhe gatishmëri për të dhënë diçka pa pritur domosdoshmërisht një përfitim të menjëhershëm.

Pikërisht për këtë arsye, rrjeti profesional nuk duhet të ndërtohet vetëm kur humbni punën apo kur po kërkoni vendin e parë të punës.

Kontaktet duhen krijuar dhe kultivuar vazhdimisht: përmes postimeve, komenteve, ndërveprimeve dhe bisedave profesionale.

Ideja është e thjeshtë: lidhjet që mund t’ju hapin një derë pas pesë vitesh mund të jenë ato që filloni të ndërtoni sot.

Në një treg pune ku një kontakt brenda kompanisë mund t’i shumëfishojë shanset për t’u punësuar një kandidati, networking-u nuk është më thjesht një avantazh shtesë. Për Gjeneratën Z, aftësia për ta kthyer një “connection” në një marrëdhënie të vërtetë profesionale po bëhet një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e vetë procesit të kërkimit të punës./FORBES

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Këshillat e kthimit në shkollë që çdo drejtues duhet t’i kujtojë

Çdo fundvere, kur fëmijët kthehen në shkollë, prindërit u përsërisin pak a shumë të njëjtat këshilla: ji kurioz, bëj miq të rinj, kërko ndihmë kur ...

1 week më parë 5 Min Lexim

Burnout-i nuk zgjidhet me një ditë pushim

Gjithnjë e më shumë kompani po ofrojnë ditë pushimi për shëndetin mendor si pjesë e paketës së benefiteve për punonjësit. Megjithatë, sipas një ana...

Aug 31, 2026 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!