Mes tensioneve në Lindjen e Mesme, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka lëshuar një paralajmërim për çdo shtet që tenton të prekë sigurinë e vendit të tij.
Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, Erdogan tha se Turqia do t'i përgjigjet çdo veprimi armiqësor dhe se qetësia e Ankarasë nuk duhet parë si dobësi.
"Qëndrimi ynë dinjitoz dhe gjakftohtë të mos e çojë askënd drejt ëndrrave të tjera. Në këto troje, të cilat i bëmë atdheun tonë duke dhënë dhe marrë jetë nën tingujt e shpatave, nuk do të lejojmë askënd të kryejë ‘operacione’. Po kështu, nuk do të qëndrojmë në tribuna si spektatorë përballë hapave armiqësorë në rajonin tonë që synojnë të rrethojnë Turqinë. Turqia nuk është kundër asnjë shteti, asnjë shoqërie, asnjë besimi apo kulture. As që mund të mendohet diçka e tillë. Por Turqia është kundër çdo paligjshmërie, çdo padrejtësie, çdo tiranie dhe çdo akti banditesk, pavarësisht se nga kush vjen, dhe kështu do të vazhdojë të jetë", deklaroi Erdogan.
Edhe pse nuk përmendi asnjë shtet me emër, deklarata e tij vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon, pas luftës mes Izraelit dhe Iranit. Ndërkohë Turqia ka shtuar takimet dhe bashkëpunimin për sigurinë me aleatët. Erdogan foli edhe për ekonominë dhe çmimin e naftës. Ai tha se lufta e nisur nga Izraeli po godet të gjithë botën, jo vetëm Iranin apo vendet e Gjirit.
"Për sa kohë që nyja në Ngushticën e Hormuzit nuk zgjidhet, çmimet e naftës do të vazhdojnë të rriten. Lufta e nisur nga provokimet e Izraelit nuk po paguhet vetëm nga populli iranian apo vendet e Gjirit, por nga të gjithë", u shpreh presidenti turk.
Në fund, ai theksoi se Turqia nuk është kundër asnjë populli apo feje, por do të vazhdojë të kundërshtojë çdo shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe çdo veprim që rrezikon stabilitetin.
