Elseid Hysaj mund të vijojë karrierën e tij larg futbollit italian. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, aktualisht pa kontratë pas largimit nga Lazio, po shqyrton mundësinë për të kaluar në kampionatin rus.
Sipas raportimeve të “Tuttomercatoweb”, 32-vjeçari ka marrë oferta nga disa klube të Premier League ruse, të cilat kanë shfaqur interes për shërbimet e tij. Duke qenë futbollist i lirë, Hysaj mund të regjistrohet edhe jashtë afateve të zakonshme të merkatos.
Mbrojtësi shkodran ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës në Itali. Ai u afirmua te Empoli, ku luajti nga viti 2011 deri në 2015, përpara se të transferohej te Napoli.
Me fanellën e napolitanëve, Hysaj zhvilloi 223 ndeshje, duke dhënë edhe 10 asistime. Pas eksperiencës në Napoli, ai iu bashkua Lazios, ku qëndroi deri në përfundim të kontratës më 30 qershor 2026.
Në kryeqytetin italian, shqiptari regjistroi 131 paraqitje, 2 gola dhe 4 asistime. Tashmë, pas përfundimit të aventurës me Lazion, Hysaj është në kërkim të klubit të ri dhe Rusia mund të jetë destinacioni i radhës për të.














