Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar para Parlamentit, duke akuzuar policinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve paqësorë.
Në një deklaratë publike, Berisha thotë se protesta u shoqërua me dhunë të egër dhe thekson se mes personave të dhunuar dhe shoqëruar në komisariate ishin edhe drejtues të partive opozitare si, Adriatik Lapaj, publicisti Shpend Gashi dhe protestues të tjerë.
Sipas Berishës, forcat e policisë kanë përdorur forcë pa asnjë shkak ligjor, ndërsa akuzon një pjesë të mediave pranë qeverisë për sulme ndaj protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.
“Dënoj me forcën më të madhe dhunën, terrorin politik dhe mediatik të Edi Ramës e të veglave të tij kundër protestuesve paqësorë”, deklaron Berisha.
Në përfundim, lideri i opozitës kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Rama, duke e cilësuar situatën si pjesë të terrorit politik dhe mediatik.
Reagimi i plotë:
Deklaratë e Kryetarit të PDSH-së, Sali Berisha
Sot, dhuna e egër e urdhëruar nga Edi Rama e narkopolicia ndaj protestuesve paqësorë para Parlamentit mori përmasa çnjerëzore. Drejtues të partive opozitare, si Adriatik Lapaj, publicistë të njohur si Shpend Gashi, si dhe protestues paqësorë u morën me dhunë të egër nga banditët me uniformë dhe vullnetarët patronazhistë, e u dërguan me forcë në komisariatet e policisë pa asnjë shkak ligjor.
Ndërkohë, mediat e kontrolluara nga qeveria dhe shpifësit e tyre profesionistë si Ymer Çorapja, Sokol Balluku, Carlo Bollino etj., si puthadorë të Edi Ramës, vazhdojnë sulmet, shpifjet, trillimet dhe sharjet ndaj protestuesve paqësorë që kërkojnë dorëheqjen e kreut të organizatës, padrinos Edi Rama, dhe organizatës së tij kriminale.
Dënoj me forcën më të madhe dhunën, terrorin policor dhe mediatik të Edi Ramës e të veglave të tij kundër protestuesve paqësorë, dhe në emër të PD-së kërkoj dorëheqjen e tij të menjëhershme. #sb
© SYRI.net