Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Mazniku SQARON propozimin për shkrirjen e bashkive: Nuk preken shërbimet ndaj qytetarëve! Ndryshojnë vetëm disa zyra

Shkruar nga Newsbomb
Mazniku SQARON propozimin për shkrirjen e bashkive: Nuk preken
Arbjan Mazniku

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, ka reaguar për një nga temat që ka ngritur “peshë” mbarë qytetarët në Shqipëri. Duke folur për propozimin e socialistëve për shkrirjen e 61 bashkive në 46, Mazniku ka zbuluar disa nga faktorët që çuan Partinë Socialiste në një propozim të tillë.

Socialisti thotë se pas një analize të bërë, shumë prej bashkive nuk i ushtrojnë dot funksionet që kanë, për shkak të burimeve njerëzore dhe financiare.

“Ne kemi bërë një analizë të detajuar për një periudhë të gjatë kohe për të vlerësuar situatën e bashkive. Qëllimi kryesor i analizës është se ku është pikë-prerja më e mirë e mundshme mes dy elementëve. Nga njëra anë, krijimi i eficencës administrative, që të ketë mundësi që një bashki t’i ushtrojë siç duhet funksionet që ka. Sot bashkitë kanë 42 funksione ligjore, 36 prej të cilave buxhetore”, tha Mazniku në intervistën e dhënë për “Repolitix”.

Po ashtu, Mazniku theksoi se disa bashki në vend, si Rrogozhina apo Divjaka, nuk kanë një ‘bërthamë urbane’, që sipas tij e vështirëson akoma më shumë të qenurit funksionale.

“Ajo që kemi kuptuar është se gjysma e bashkive nuk arrijnë të bëjnë një pjesë të madhe të funksioneve. Rrogozhina dhe Divjaka nuk kanë një zonë urbane. Nëse ti je një bashki që nuk ke një bërthamë urbane, ti e ke shumë të vështirë të gjesh 2 juristë për zyrën juridik. Pra nëse s’ke njerëzit dhe mundësinë ekonomike për kryerjen e funksioneve, në atë moment ti ke një problem funksionaliteti”, shtoi Mazniku.

Më tej, Mazniku garantoi për qytetarët se zyrat për dhënien e shërbimeve ndaj tyre do të qëndrojnë aty ku janë, ndërsa theksoi se ndryshime do të ketë vetëm për zyrat e planifikimit.

“Autonomia fiskale mat si është raporti mes totalit të të ardhurave që merren nga Qeveria, si dhe totalit të të ardhurave që ka vetë bashkia. Bashkia është si puna e administratorit të pallatit. Është ai njeriu që kujdeset për shkallën. Por nëse ai është i vetmi banor, ai atëherë po administron veten e vet, jo të tjerët. Pra në rastin praktik ne këtu nuk kemi të bëjmë me një situatë që po u jep shërbime palëve të treta, por vetëm atyre që punojnë në bashki. Ne kemi mundësi që pa i larguar asnjë nga shërbimet e përditshmërisë, pra mirëmbajtja e rrugës, pastrimi, të bëhet prapë nga qyteti i Fushë-Arrëzit për shembull. Lëvizin vetëm zyrat e planifikimit”, u shpreh socialisti.

Në përfundim Mazniku theksoi reforma e re territoriale është një reformë për qytetarët, jo për ‘ofiqarët.’ Ndërsa shtoi se vullneti i PS është që në zgjedhjet e ardhshme lokale të shkohet me hartën e re territoriale, për të cilën do të marrë Kuvendi një vendim.

Ndërkohë, qytetarët e Divjakës kanë vijuar me protestën e tyre të 40-të kundër shkrirjes së bashkisë së tyre. Ndër ditë, protesta ka pasur dhe për shkrirjen e Rrogozhinës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese