Një mbrëmje kushtuar trashëgimisë kinematografike dhe muzikore. Dhjetëra qytetarë, vizitorë e pushues ndoqën për më shumë se një orë në Durrës një koncert me muzikën e filmave të kompozitorit durrsak Haig Zacharian. Kjo nismë synon krijimin e itinerareve të reja turistike në këtë qytet. Durrësi nuk ka vetëm det, histori dhe arkeologji, por është pjesë e rëndësishme dhe e artit dhe kinematografisë shqiptare.
“Kryesisht ka të bëjë me itineraret në të gjitha vendet ku janë xhiruar filmat pas viteve ’70. Ka qenë një punë shumë voluminoze, me aktorë, regjisorë, skenaristë të filmave, si dhe me persona që kanë qenë gjithmonë prapa kuintave”, u shpreh producentja, Blerina Shtylla.
“Durrësi ka qenë pika e dytë kryesore pas Tiranës në kinema dhe, njëkohësisht, kemi një numër të madh veprash të cilat janë luajtur në Durrës. Ato kanë mbetur në memorien e Durrësit, duke sjellë njëkohësisht edhe Durrësin vetë, në atë mënyrë se si ka qenë”, tha Brunilda Liçaj, Pedagoge, eksperte e turizmit.
Koncerti u realizua nën drejtimin artistik të Ardita Bufaj me moderim të aktores Ema Andra, ndërsa muzika u interpretua drejtpërdrejt instrumentistët Xhovana Marku, Igert Zeqiri, Stela Bello dhe Matilda Bajrami. Në Durrës janë xhiruar 11 filma gjithsej, si “Horizonte të hapura”, “Ilegalët” – 1976, “Tingujt e luftës”, “Një udhëtim i vështirë” – 1977, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Mysafiri”, “Në çdo stinë”, “Dora e ngrohtë” etj.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje