Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar pas rezultatit tronditës të zgjedhjeve rajonale në Saksoni-Anhalt, ku partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), shënoi një nga fitoret më të mëdha të së djathtës ekstreme në Gjermani që prej Luftës së Dytë Botërore.
Përmes një deklarate të dhënë Merz pranoi se rezultati ishte një goditje e rëndë për CDU-në, dhe se një rezultat i tillë nuk pritej prej askujt në parti.
“Jemi të gjithë thellësisht të tronditur. Nuk e prisnim një rezultat të tillë, por duhet ta pranojmë. Këto janë rregullat e demokracisë sonë”, deklaroi ai.
Më tej ai theksoi se CDU-ja, nuk mundet të vazhdojë thjesht rutinën e përditshme, dhe shtoi se do të përpiqet t’i përgjigjet seriozisht situatës, dhe se ai personalisht preket nga rezultati zgjedhor.
“Institucionet tona janë të forta dhe të qëndrueshme. Kushtetuta gjermane e mbron dhe garanton këtë rend, dhe qeveria federale që unë drejtoj do të sigurojë që Kushtetuta të zbatohet. Ky mesazh vlen edhe për miqtë tanë në Evropë dhe në të gjithë botën. Ne e dimë se Gjermania, për shkak të historisë së saj, mban një përgjegjësi të veçantë. Gjermania do të ruajë gjithmonë lidhjen e saj të fortë me Evropën”, shprehu kancelari gjerman, Friedrich Merz.
Pavarësisht kësaj Kancelari nuk e sheh si opsion dorëzimin, ai u shpreh: “Dorëzimi nuk është një opsion për mua. Të gjithë së bashku duhet të bëhemi më të mirë. Dhe po kërkoj mënyra se si mund ta arrijmë këtë. Bëhet fjalë që edhe brezat e ardhshëm të mund të jetojnë në liri, paqe dhe siguri. Dhe nga kjo përgjegjësi nuk do të largohem. Në javët dhe muajt e ardhshëm do të përpiqem ta bëj ndryshe politikën, ta bëj më mirë. Bindjet e mia themelore nuk ndryshojnë”.
Kujtojmë se partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermani (AfD) fitoi zgjedhjet për parlamentin rajonal të Saksoni-Anhaltit me një epërsi të madhe, por nuk arriti shumicën absolute. CDU-ja u rendit në vendin e dytë, duke pësuar humbje të konsiderueshme.
