Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar për 100 ditët e protestave kundër qeverisë, duke e cilësuar këtë periudhë si një moment të rëndësishëm të rezistencës qytetare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se protestat kanë ndikuar në dobësimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa qytetarët, sipas tij, janë bërë më të vendosur për të kërkuar llogari nga qeveria.
Ai deklaron se kërkesa për largimin e Ramës nga pushteti vijon të mbetet e pandryshuar, ndërsa thekson se protestuesit po kërkojnë gjithashtu ndërhyrjen e SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë për çështjet që lidhen me qeverisjen.
Sipas Këlliçit, gjatë këtyre 100 ditëve është rritur angazhimi i qytetarëve kundër korrupsionit, kostos së jetesës dhe problemeve në shërbimet publike. Ai e sheh këtë si një konfirmim të qëndrimeve të opozitës dhe denoncimeve të saj ndaj qeverisë.
Nënkryetari i PD-së vlerëson gjithashtu rolin e diasporës, duke veçuar mbështetjen që shqiptarët jashtë vendit u kanë dhënë protestave.
Këlliçi e përfundon reagimin duke shprehur bindjen se lëvizja do të vijojë edhe në ditët në vazhdim dhe se, sipas tij, kauza e protestuesve do të triumfojë.
Postimi i plotë:
100 ditët që sollën ndryshim!
Sot bëhen 100 ditë të një prej lëvizjeve më të fuqishme të shoqërisë shqiptare kundër korrupsionit, qeverisjes së keqe, arrogancës dhe pushtetit absolut dhe abritrar të një njeriu.
Me protestën e pandalshme, të rinjtë, aktivistët, prindërit, të moshuarit dhe njerëz nga çdo komunitet e zonë e Shqipërisë, i kanë bërë një shërbim të vyer vendit dhe kanë sjellë ndryshim të jashtëzakonshëm.
Protreti i vërtetë i Edi Ramës, si një sundues i korruptuar dhe i lidhur me krimin, është shfaqur haptazi dhe shoqëria këtu dhe mbarë bota nuk kanë më asnjë dilemë se me kë kanë të bëjnë. Propaganda ra dhe transparenca e një regjimi u bë.
Pas 100 ditëve rezistencë, sot qytetari është më i fortë, ka më shumë kurajo, ngre zërin dhe kërkon të drejtat e tij, ndërsa autokrati është më i dobët.
Vendosmëria e protestuesve ka zhbërë gjithë përpjekjet e marifetet e Edi Ramës për të fituar kohë e mbajtur pushtetin. Asnjë prej lëvizjeve të tij nuk shërbeu, dhe sot është në rendin e ditës e palëkundur kërkesa për largimin e tij nga pushteti.
Zgjimi i shoqërisë nga një agoni e gjatë është një arritje e këtyre 100 ditëve.
Sa i përket PD dhe Opozitës, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që denoncimet dhe betejat e saj të gjejnë një konfirmim të tillë në shoqëri.
Aktivistët po flasin për korrupsionin e narkoshtetin, po flasin për varfërinë e për mungesën e kushteve, për shëndetësinë e për çmimet e papërballueshme, të gjitha këto teza për të cilat PD ka ngritur zërin që në fillim.
Ditët e fundit, sheshi dhe bulevardi ka nisur të kërkojë llogari dhe të nxisin SPAK-un e drejtësinë e re të veprojë ndaj Edi Ramës dhe aferave të tij.
Eshtë padyshim sukses kur sheh që qëndrimet e tua, kthehen në qëndrime të qytetarëve.
Një vlerësim i takon diasporës, këtu ku jemi aktualisht në Amerikë dhe kudo në Europë, për mbështetjen vitale që i kanë dhënë kësaj lëvizje.
Sot më shumë, nesër më shumë.
Kauza e drejtë do triumfojë.














