Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në Teksas aty ku dhe është pritur nga dhjetëra shqiptarë.
Berisha, i cili pritet të marrë pjesë në konventën e Partisë Republikane është shoqëruar nga eskorta e Policisë, ndërkohë që në aeroportin e Dallasit e kanë pritur një grup shqiptarësh të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Teksas.
Ashtu sikurse e kemi bërë me dije dhe më herët, gjatë qëndrimit në Teksas, lideri i së djathtës shqiptare do të marrë pjesë në aktivitetin e Partisë Republikane, ku pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti amerikan, Donald Trump.
Sakaq kujtojmë se një ditë më parë ish-kryeminsitri Berisha u prit në New Jersey me mbështetje, por dhe me protesta. Një grup shqiptarët të mbledhur jashtë ambienteve të godinës ku dhe Berisha mbajti takimin me diasporën brohorisnin kundër tij: “Berisha në burg. Je non-grata”.
Ndërkohë që brenda sallës të shumtë kanë qenë ata që i kanë shprehur mbështetjen dhe e kanë konsideruar atë si një ndër personat më të pastër përgjatë 30 viteve të fundit të politikës në Shqipëri.
“Unë jam Akil Ceci, biznesmen në fushën e ndërtimit në Amerikë nga Tropoja. Kam edhe mbiemrin Ceci dhe në emër të familjes Ceci jam shumë krenar që ti arrite ta pastrosh emrin tënd dhe të tregosh neve dhe gjithë botës që je figura më e pastër politike që ka pasur Shqipëria në 30 vite demokraci”, i tha një prej mbështetësve.
