Një ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka dalë me një video-mesazh në rrjetet sociale.
“Ky tapet i kuq do të presë nesër Edi Ramën, Belinda Ballukun, Taulant Ballën, Ulsi Manjën. Të gjithë do hyjnë këtu në këtë Kuvend. Do vazhdojnë të vjedhin qytetarët shqiptarë, do vazhdojnë të punojnë për veten e tyre”, shprehet ai.
Kreu i Partisë Mundësia vlerëson se Parlamenti aktual nuk përfaqëson më qytetarët duke shtuar se ka vrarë ëndrrat e të rinjve. Ai thekson se për javët e ardhshme është sërish i përjashtuar nga mazhoranca.
“Ky Parlament nuk i përfaqëson më shqiptarët. U ka vrarë ëndrrat të rinjve dhe shpresën prindërve të tyre. Unë jam i përjashtuar sepse i denoncoj hapur. Nuk shantazhohem, nuk hesht dhe nuk tërhiqem. Dera do të jetë e mbyllur për mua sepse mua nuk më duan aty brenda. Më kanë përjashtuar 140 ditë nga fillimi i vitit. Më kanë përjashtuar 4 herë sepse nuk më duan. Sepse nuk duan që unë të jem aty, t’ua plas në fytyrë vjedhjet, abuzimet. Nuk duan sepse unë bëj kontrast me ta. Sepse unë nuk kam vjedhur kurrë qytetarët shqiptarë. Sepse unë nuk kam abuzuar kurrë me fondet. Sepse unë nuk kam bërë kurrë pazare me ta. Sepse unë bëj opozitë”, shprehet Shehaj.
Agron Shehaj zotohet se do të vazhdojë të bëjë opozitë të vërtetë, pavarësisht përjashtimeve, censurës dhe kërcënimeve.
“Sepse jam votuar për të bërë opozitë dhe do vazhdoj ta bëj pavarësisht përjashtimeve, pavarësisht censurës në rrjete sociale, pavarësisht kërcënimeve. Do vazhdoj të bëj opozitë! Këtu më kanë, nuk ndalem!”, përfundon kreu i Partisë Mundësia.
