
Një aksident i rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme rreth orës 18:25 në aksin kombëtar Gramsh-Cërrik.
Një grua që po ecte në këmbë anës rrugës është përplasur nga një motor, i cili dyshohet se lëvizte me shpejtësi të lartë. Për pasojë, këmbësorja është rrëzuar në asfalt dhe ka pësuar dëmtime të shumta në trup, dhe ka humbur përkohësisht ndjenjat në vendngjarje.
Pas përplasjes, drejtuesi i motorit ka ndaluar një makinë që po kalonte në zonë dhe me ndihmën e shoferit të saj kanë transportuar gruan e plagosur drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas kësaj, motoristi ka braktisur mjetin e tij dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në vendngjarje pritet të mbërrijnë shërbimet e Policisë për dokumentimin e aksidentit dhe identifikimin e autorit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave. Ende nuk ka informacion zyrtar për gjendjen shëndetësore të së dëmtuarës.
