Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Nga ushtrimet e provimet deri te vlerësimi, UDHËZUESI i ministrisë së Arsimit u jep leje nxënësve dhe mësuesve të përdorin ChatGPT në shkolla

Shkruar nga Newsbomb
Nga ushtrimet e provimet deri te vlerësimi, UDHËZUESI i
Foto ilustruese

Tashmë nxënësit dhe mësuesit e sistemit parauniversitar do të mund të përdorin inteligjencën artificiale, leja për këtë është dhënë prej Ministrisë së Arsimit. Kjo e fundit ka hartuar një udhëzues për IA në shkolla me mjete të tilla si Chat GPT, Gemini, Full Fact etj, të cilët parashikohet të kthehen në mbështetës dhe jo zëvendësues të aftësive njerëzore.

Sipas Top Channel, mësuesve u jepet e drejta që të hartojnë përmes inteligjencës artificiale materiale për mësimdhënie, si krijimi i ushtrimeve, pyetjeve, provimeve apo edhe për vlerësimin e nxënësve në fusha të ndryshme të të nxënit, ku pëfshihen gjuha shqipe dhe ato të huaja, matematika, artet dhe edukimi fizik.

Më tej sipas këtij udhëzimi, sqarohet se, inteligjenca artificiale mund të përdoret edhe në përkthimin e teksteve apo për të korigjuar gabimet gjuhësore.

“Në një klasë, nxënësit kanë ritme, stile, interesa dhe nevoja të ndryshme të të nxënit. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në përgatitjen e detyrave me nivele të ndryshme vështirësie, në thjeshtimin e shpjegimeve, në krijimin e ushtrimeve shtesë për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje, ose në ofrimin e sfidave më të avancuara për nxënësit që ecin më shpejt”, thotë Agjencia e Sigurimit të Clësisë së Arsimit.

Sa i përket përdorimit nga nxënësit udhëzuesi ka si qëllim që edhe këta të fundit ta përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë të përgjegjshme për të kërkuar informacion, realizuar projekte apo për të zhvilluar kretivitietin, e megjithëatë mbetet sfidë rreziku i dezinformimit, cenimit të privatësisë apo varësisë digjitale. Ndaj orientohen që të kenë në fokus verifikimin e përmbajtjes të gjeneruar me IA, mbrojtjen e të dhënave personale dhe rolin vendimmarrës e ruan mësuesi.

“Shmangia e plagjiaturës kërkon që nxënësit të mësojnë të dallojnë ndërmjet ndihmës së pranueshme dhe kopjimit. Përdorimi i IA-së për të kuptuar një koncept, për të marrë sugjerime ose për të përmirësuar një draft mund të jetë i pranueshëm, nëse nxënësi mendon, përpunon dhe krijon vetë. Por kopjimi i drejtpërdrejtë i përgjigjeve të IA-së, cënon integritetin akademik. Për të nxitur përdorimin e ndershëm, mësuesi mund t’u kërkojë nxënësve të shpjegojnë procesin e punës, jo vetëm produktin përfundimtar”, shprehet më tej agjencia.

Një nga pikat e rëndësishme të këtij udhëzimi është edhe anonimizimi, kur mësuesi apo nxënësi përdor AI të heqë emrat, inicialet, fotografitë, emrin e shkollës si edhe çdo detaj tjetër që mund ta bëjë të identifikueshëm.

Ky zhvillim për Shqipërinë është bazuar në udhëzuesin e UNESCO-s për politikëbërësit në arsim, ku IA-ja trajtohet si një mundësi për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe për të mbështetur nxënësit me nevoja të ndryshme, por vetëm nëse përdoren politika të qarta nga mësues të përgatitur dhe me masa për mbrojtjen e nxënësve.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese