Skandali i trafikut ndërkombëtar të armëve, Kalaja: Qeveria shqiptare një organizatë kriminale që mbrohet nga drejtësia

13:59, 08/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një tjetër skandal i përmasave alarmante ka përfshirë Shqipërinë, një vend anëtar i NATO-s, i cili tashmë po akuzohet hapur si qendër e trafikimit të armëve. Pas etiketimit ndërkombëtar si "narko-shtet" dhe vend tranzit për lëndët narkotike të forta, të dhënat e fundit tregojnë se armët trafikohen, ambalazhohen dhe shiten nga Shqipëria me etiketën "Made in Albania", duke shkelur çdo traktat dhe marrëveshje ndërkombëtare.

Këto akuza të rënda janë ngritur nga avokatja Adriana Kalaja gjatë një interviste në edicionin e mesditës në Syri tv me gazetarin Bled Marku. Ajo theksoi se në krye të këtij rrjeti qëndron vetë qeveria, e kthyer tashmë në një "organizatë kriminale". Referuar deklaratave dhe denoncimeve të fundit publike, përfshirë intervistën e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, theksohet se krimi është instaluar thellë në të gjitha hallkat e pushtetit. Sipas këtyre denoncimeve, miliona dollarë u janë dhënë si parapagime kompanive të zgjedhura enkas, të cilat favorizohen përmes akteve ligjore personale të firmosura direkt nga kreu i ekzekutivit.

Në qendër të kritikave të forta është edhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në vend që të hetojë aferat korruptive, inceneratorët dhe skandalet qeveritare, ky institucion akuzohet se është kthyer në një "zjarrfikës" që shuan flakët e skandaleve të regjimit. Përballë fakteve dhe përgjimeve komprometuese, drejtësia ka zgjedhur apatinë, duke iu nënshtruar presioneve të hapura të Kryeministrit. Këto presione përfshijnë urdhra për të mos sekuestruar telefona apo kërcënime me ndërprerje pagash ndaj atyre që nuk binden.

Megjithatë, ky instalim i thellë i mafies në qeverisje nuk ka kaluar pa vëmendjen e partnerëve strategjikë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa kanë filluar të reagojnë, duke u pozicionuar kundër këtij fenomeni që po kanabizon kontinentin e vjetër dhe po rrezikon sigurinë ndërkombëtare përmes trafikut të armëve. Mbetet për t'u parë nëse drejtësia do të gjejë kurajon të veprojë, apo nëse në Shqipëri skandalet do të vazhdojnë të mbulojnë njëri-tjetrin duke shpresuar që çudia më e madhe të zgjasë vetëm tre ditë.

Bled Marku: Atëherë, po nisim menjëherë bisedën pasi duket se në Shqipëri nuk kanë të sosur skandalet. Në një kohë kur prisnim që SPAK të niste hetimet, qoftë për inceneratorët, të shkonin përgjegjësit përpara drejtësisë, për të dhënë llogari, për afera të tjera të shumta të cilat i kemi përmendur më se një herë, tashmë na del në dritë një tjetër aferë. Ajo e trafikimit ndërkombëtar të armëve nga një vend anëtar i NATO-s. Çfarë po ndodh në Shqipërinë tonë, Adriana, dhe cili është roli i SPAK-ut aktualisht?

Adriana Kalaja: Në fakt, intervista e mbrëmshme e zotit Ahmetaj, për të cilin unë jap konsideratën time për gjithë denoncimet që ka bërë deri tani, por edhe për zotin Peka që me një kurajo të jashtëzakonshme na bëri me dije ne dhe gjithë qytetarëve shqiptarë që ato që përfliten si të dhëna të pabesueshme të lidhjes së krimit, ose instalimit më mirë të krimit, jo lidhjes, instalimit të krimit në të gjithë hallkat e pushtetit, që në krye të tij me një kryeministër të inkriminuar në të gjitha anët, tashmë jepen me zë dhe figurë nga një njeri më i afërt i kryeministrit, por mbron edhe me përgjime të cilat ishin në kufijtë e alarmantes.

Unë mendoj që SPAK-u përveç një zhgënjimi të madh që na ka dhënë për apatinë dhe mosbërjen e detyrave për të cilën i ngarkon ligji dhe kushtetuta, po dhe për të cilën paguhen mjaftueshëm mirë, nga ana tjetër unë mendoj që ata me rolin që kanë marrë, në kundërshtim pra me atë që duhet të bëjnë, përveç se janë kthyer në zjarrfikësa të gjithë aferave korruptive dhe kriminale të narko-regjimit, po nga ana tjetër vazhdojnë me këtë sikur s'ka ndodh asgjë, 'hë se do harrohet, çudia më e madhe tre ditë zgjat'. Dhe aq më shumë që ne jemi dëshmitarë të gjithë, që këtu skandali zë skandalin dhe ne edhe si opozitë, po edhe unë që jam marrë kryesisht me kallëzimet penale, nuk kemi kohë që t'i shkojmë një gjëje deri në fund se në përditë jemi duke...

Bled Marku: Pasi, ju keni denoncuar, edhe ju zonja Kalaja keni denoncuar çështjen e Kayo-s.

Adriana Kalaja: Patjetër e kemi denoncuar, unë sot me thënë të drejtën me këtë po merrem, sepse Partia Demokratike do avancojë me kërkesat qoftë në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe me paraqitjen e të dhënave të domosdoshme pranë SPAK-ut. Por përpos asaj që bëjmë ne si qytetarë, si opozitarë, të cilëve na dhëmb Shqipëria për së pari, mbrëmë SPAK-u nuk duhet të kishte kaluar as 10 minuta pas përfundimit të një deklarate kaq të fortë dhe të atyre përgjimeve të cilët thashë duhet të rrëzonin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse do ishin pjesë e përgjimeve, jo më një vend problematik si vendi jonë ku mafia është e instaluar në qeverisje.

Bled Marku: Tek mafia zonja Kalaja, ju vetë e keni denoncuar edhe shndërrimin e Shqipërisë në një narko-shtet, e keni denoncuar si vend tranzit të drogërave të forta, tashmë një vend anëtar i NATO-s, po bën trafikim ndërkombëtar armësh. Merren armët në Shqipëri, vetëm ambalazhohen dhe shiten si 'Made in Albania'.

Adriana Kalaja: Përveç kësaj, për shembull ne kemi bërë një denoncim para disa kohësh, po që u tha dhe mbrëmë nga zoti Ahmetaj, që nëse shikojmë bilancin e kompanive të cilët janë zgjedhur enkas nga kryeministri Rama për të bërë këtë kontrabandë, ka me miliona e miliona dollarë të dhënë si parapagim. Pra ne vijojmë të kemi pagesa të llahtarshme në favor të këtyre kompanive. Vijojmë të kemi akte ligjore dhe kjo është më e rënda e nderuar, kemi akte ligjore të nominuara personale për individë të caktuar me firmën dhe vulën e kryeministrit Rama. Dhe kemi parë ndonjë veprim konkret nga ana e SPAK-ut?

Madje ka bërë dhe një gjë edhe më të rëndë. Përveç se i ka telendisur, i ka tërhequr zvarrë dhe i jep urdhra ça duhet të bëjnë e ça s'duhet të bëjnë. E mbani mend atë deklaratën, presionin që i bëri 'Mos guxoni të vini të merrni telefonin tim'. Pastaj presionin tjetër që tha 'Mos më hajdeni me patllake në zyrën time'.

Dhe ndërkohë sot ça i bëri? Sot, para disa ditësh, i preu dhe rrogën. Pra ai thotë, nëse ju nuk do shkoni në rrugën që unë kërkoj, në rrugën për të cilën ju kam emëruar unë - ai e deklaron tashmë, deri nëse para dy-tre vitesh fshiheshin këta pas reformës në drejtësi, tani ai me veprime e ka treguar që ju jeni aty se kam dashur unë, dhe për sa kohë që dua unë, do më shërbeni me të gjitha kërkesat që unë kam në shërbim të krimit të organizuar. Dhe prandaj unë vazhdoj të them që ne nuk jemi përballë një qeverie, qoftë kjo edhe në raport me zgjedhjet, dhe u vërtetua edhe nga organizmat ndërkombëtarë - ajo çfarë ndodhi po flas vetëm për zgjedhjet e fundit të 11 majit - po ne jemi përballë një organizate kriminale, për të cilën fatmirësisht Europa apo sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë filluar të flasin. Pra nuk janë në krahun e atij, por kanë filluar të gjejnë një pozicion të përshtatshëm për t'i dalë përballë dhe për t'i thënë 'Kujdes, sepse nuk po shkelen vetëm parimet e shtetit ligjor të së drejtës brenda Republikës së Shqipërisë, po po shkelen dhe traktate, marrëveshje ndërkombëtare' duke kanabizuar dhe duke mbytur Europën dhe jo vetëm me drogë, por edhe më gjerë...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco