Tre mjekë në maternitetin e Pogradecit janë proceduar penalisht dhe po hetohen në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur dje, ku 36-vjeçarja shtatzënë Marjana Karolina Bunaj humbi jetën.
Pas ekzaminimit nga tre mjekët, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë në Tiranë, por gjendja e të ndjerës u përkeqësua rrugës dhe ajo u dërgua në maternitetin e Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën.
Sipas policisë, procedimi ka nisur për mjekët, Blerta Delijan, 35 vjeçe, banuese në Elbasan, Anri Topi, 40 vjeç, dhe Saimir Çela, 34 vjeç, të tre ushtronin detyrën e mjekut në maternitetin e Pogradecit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: B. D., 35 vjeçe, banues në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec, me detyrë mjekë në maternitetin e Pogradecit. Mbrëmjen e datës 30.08.2026, është paraqitur në martenitetin e Pogradecit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, shtetasja M. K., 36 vjeçe, 7 muajshe shtatzënë. Pas ekzaminimit nga këta tre mjekë, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë, për ndihmë mjekësore të specializuar në një maternitet në Tiranë, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë rrugës, ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën”,- njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.














