Gjatë protestës së 93-të të zhvilluar para Kryeministrisë, aktivisti Ilir Xhemalaj ka paralajmëruar një fazë të re të aksionit opozitar dhe se protestat do të përshkallëzohen në vjeshtë.
Nga foltorja përballë godinës së qeverisë, Xhemalaj u bëri thirrje qytetarëve për mobilizim dhe paralajmëroi nisjen e mosbindjes civile ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Sipas tij, protestuesit do të vijojnë qëndrimin e tyre në shesh, ndërsa vjeshta do të sjellë një intensifikim të aksionit qytetar.
“Tani nis stina e reshjeve që do të bjerë mbi këtë qeveri. Jemi vendosur që këtu të ngremë barrikadat tona dhe do ta fitojmë luftën. Këtu!”, deklaroi Xhemalaj.
Duke akuzuar qeverinë për korrupsion, aktivisti kërkoi largimin e saj dhe paralajmëroi përshkallëzim të protestave.
“Kjo qeveri e korruptuar duhet të largohet sa më shpejt. Do të nisim përshkallëzimin, mosbindjen civile. Kjo situatë nuk mban më”, u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Xhemalaj u bëri thirrje qytetarëve të përgatiten për protesta më të forta gjatë muajve të ardhshëm.
“Përgatituni për një vjeshtë shumë të fortë. Këtu do të jemi, do të përballemi akoma më fort. Duhet të mobilizohemi kundër Ramës”, tha aktivisti.














