Karim Benzema i ka dhënë fund aventurës së tij te Al-Hilal, vetëm gjashtë muaj pasi iu bashkua klubit saudit. Edhe pse kontrata e sulmuesit francez ishte e vlefshme deri në qershor të vitit 2027, palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin.
“Al-Hilal dëshiron ta falënderojë Benzeman për kontributin e tij gjatë kohës që luajti me ekipin tonë. Brenda dhe jashtë fushës, ai gjithmonë ka treguar profesionalizëm dhe përkushtim”, thuhet në njoftimin e klubit.
Benzema e nisi karrierën profesionale te Lyoni, por emri i tij u lidh përfundimisht me elitën e futbollit botëror gjatë periudhës te Real Madridi.
Francezi iu bashkua klubit spanjoll në vitin 2009 dhe qëndroi aty deri në vitin 2023, duke u shndërruar në një prej sulmuesve më të rëndësishëm në historinë e “Los Blancos”.
Pas largimit nga Madridi, Benzema kaloi te Al-Ittihad në Arabinë Saudite, ku luajti nga viti 2023. Në fillim të këtij viti ai ndryshoi sërish klub, duke u transferuar te Al-Hilal.














