Muli nxjerr udhëzim për pastrimin e Facebook-ut

31 Gusht 2026, 18:50Antena TEMA

Pas njoftimeve se Doktori do udhëtojë në një konventë republikanësh në Teksas, Muli i kërkoi Lelos të niste një fushatë të fshirjeve të gjithë postimeve kundër SHBA nga 2021 deri më 2025.

– Më tha Doktori se kur hyn në SHBA të kërkojnë dhe telefonin dhe Facebook-un, – i tha Muli. – Ndoshta Doktorit nuk ia kërkojnë se kanë ndërhyrë lobistët, por duhet të jemi të përgatitur.

– Po çfarë të bëjmë? – i tha Lelo.

– Detyra jote është të pastrosh gjithë postimet e Doktorit kundër SHBA dhe “non grata”-s. Sa të sqarohet ai polici në kufi se ç’i ka ndodhur Doktorit, po pa ato postimet e marrin e rrasin te dhoma e izolimit dhe hajde sqaroje pastaj.

– Ke të drejtë, – tha Lelo. – Do flas me të dhe do nis që sot.

– Duhet po ashtu çdo anëtar i delegacionit që do ta shoqërojë ta bëjë këtë punë, të pastrojë Facebook-un, Instagram-in, çfarë ka tjetër, nga gjithë statuset që sulmonin “non grata”-n. Nuk duhet të dukemi sikur kemi bërë betejë me SHBA.

– Puna është të mos futet në Google ai polici, – tha Lelo, – se i del “non grata” në faqe prapë dhe hajde sqaroje pastaj që unë jam shoku i La Civitës, atij që njeh Fatmir Mediu me Belon, që ngjan me Vullnet Sinën, që ka qenë në Shqipëri në fushatë, etj., etj.

– E vërtetë, – tha Muli, – por ne të bëjmë tonën. T’i dalim të keqes përpara. Doktorit i duhet parë dhe TikToku, se duke qenë se algoritmi e llogarit antiamerikan, i nxjerr vetëm video kundër SHBA dhe ai i klikon nga kurioziteti. Dhe mund të ngrejë shumë dyshime.

– Ia fshijmë fare, – tha Lelo, – pa merak.

– Dhe diçka tjetër, – tha Muli. – Është e sigurt që Fatmir Mediu do jetë në gjithë këto takimet. T’i themi të postojë më pak fotografi se Doktori, se ai bën foto dhe me gjithë pronarët e picerive aty dhe duket sikur ka takuar më shumë kongresmenë se Doktori.

– Ke të drejtë, – tha Lelo. – Do flas unë me të të jetë më i përmbajtur këtë herë. Vetëm foto me atë mikun e vet që ka ato strip club-et. Jo me të tjerë. Se aty nuk e ka konkurrent Doktorin.

2 Komente

  1. p
    poshte komunizmi

    shume e bukur Mero

    Përgjigjjuni
    1. D
      Diu

      O Perëndi kush e shkruan këtë fejton? Po është shumë e bukur.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje