Akuzat e Ahmetajt, Ndoja: Të gjitha ato që tha, janë bazë për tu hetuar nga SPAK – PS sot është një sekt i krijuar nga Rama

09:49, 08/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i PD Arian Ndoja, gjatë një intervsite në Syri tv, theksoi duke komentuar intrevistën e një dite më parë të Arben Ahmetjat se mazhoranca aktuale nuk përfaqëson më Partinë Socialiste historike, por është shndërruar në një "sekt" të kontrolluar nga kryeministri. Ndërsa dikur kjo forcë politike njihej si "partia e luanëve" dhe e intelektualëve me grada shkencore, sot theksohet se ajo është kthyer në një dekor të thjeshtë. Deputetët trajtohen si copëza pa vlerë individuale, madje duke u fyer publikisht me terma si "klonim", duke u reduktuar në figura të parëndësishme që nuk japin asnjë produkt real, por thjesht i shërbejnë prirjeve artistike të kreut të qeverisë.

Vendi përshkruhet nga Ndoaj si një "republikë drejtorësh", ku persona me të shkuar në parti të tjera emërohen në poste kyçe thjesht për diversion dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Në të njëjtën kohë, hidhen hije të forta dyshimi mbi sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar atë si një "republikë prokurorësh". Akuzat theksojnë se një pjesë e SPAK-ut po keqpërdoret për të goditur politikisht kundërshtarët ose po mbahet në heshtje sipas interesave të pushtetit.

Ndonëse ligji lejon që prokuroria të nisë hetime qoftë edhe nga denoncimet në emisione televizive, sipas Ndojës, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) çalon rëndë në profesionalizëm. Një pjesë e oficerëve pretendohet se janë emëruar për arsye politike dhe jo për merita, gjë që rrezikon dështimin e dosjeve në gjykatë për shkak të mungesës së provave të qëndrueshme. Kjo dobësi theksohet se i lë këto institucione totalisht të pambrojtura ndaj presionit të jashtëm dhe ndërhyrjeve të thella të politikës.

Flavio Qarri: Prokuror ose prokurori politikan Arjan Ndoja, nga konteksti që po jetojmë në muajin e fundit duke përfshirë dhe intervistën e Arben Ahmetajt. Cila mendoni se është pika e dobët e mazhorancës që do të keni përballë sot në kuvend dhe ku do të sulmoni, ku do të synoni për ta çmontuar organizatën bashkë me kreun e saj? Tani më ju mendoni se mund ta quajmë organizatë siç thotë edhe Ahmetaj meqë ishte numër dy si një farë Tommaso Buscetta i ndershëm?

Arian Ndoja: Tani, personazhi që ju përmendët është te një film i fundit, po i cili u bë tradhtar jo sepse nuk duronte dot burgun dhe nuk duronte dot dhimbjen e shkaktuar nga ata të cilët ai i kishte konsideruar shumë miq. Kishte humbur familjen, e dhimbja shkoi te dy djemtë e tij, kumbara i vrau djemtë. E të tjera e të tjera me radhë. Kështu që...

Flavio Qarri: Po edhe këta a tentuan t'ia merrnin peng fëmijët Ahmetajt?

Arian Ndoja: Te rasti konkret që ju po flisni, ka një gjë për t'u marrë në konsideratë, që ai person ka qenë shumë i afërt me kryeministrin, edhe në aspektin njerëzor, po ka qenë edhe në aspektin strukturor, patjetër, zëvendëskryeministri i Shqipërisë. Kjo gjë e lë shumë të hapur për ata që e dëgjojnë në aspektin publik dhe ka një ndikim shumë të madh. Në aspektin e prokurorisë, unë them që të gjitha ato që u thanë aty, janë bazë për t'u hetuar dhe në qoftë se janë ashtu siç është artikuluar aty, ka bazë për të ngritur akuza, për të vazhduar edhe me veprimet e mëtejshme. Kurse për sa i përket pjesës tjetër që çfarë ndodh me Partinë Socialiste, gjej me vend ta them që unë nuk mendoj që e gjithë Partia Socialiste është kjo që po bën ky kryetari i kësaj organizatës në thonjëza. Ky është një sekt që ka ndërtuar ai. Nuk është Partia Socialiste, absolutisht. Nuk mund të them që socialistët e ndershëm, të paktën ata që kam njohur unë ndër vite, përpara se të hyja në politikë por edhe tani mbrapa, dakordësohen me mënyrën e sjelljes, me arrogancën, me fjalorin, po edhe me mënyrën e organizimit të shtetit. Pra, nuk mund ta pranojë një socialist i cili ka 35 vite, të paktën me Partinë Socialiste 36, i cili po ushtron veprimtarinë e tij politike dhe të gjendet papritmas përpara një pazari në thonjëza, ku një person i cili ka qenë njëherë me Partinë Demokratike ose me një parti tjetër ose diçka tjetër, thjesht për të krijuar çrregullim të opinionit publik, 'distraction' që i thonë amerikanët, për të marrë vëmendje, ai merret dhe emërohet kreu i një drejtorie të përgjithshme ose zëvendësministër ose ministër të artikuluar që ju i keni parë.

Flavio Qarri: Për diversion.

Arian Ndoja: Për diversion. Mirëpo ky problem ka të bëjë me disa parime bazë që ka pasur Partia Socialiste. Nga partia e intelektualëve, e thënë me zhargonin e përditshëm 'partia e luanëve', pra ju mjafton të shikoni figurat që kanë qenë në parlamentin e parë dhe të dytë pluralist. Kanë qenë të gjithë me grada. Edhe batuta, edhe humori, stigmatizimi që bëhej ishte i një niveli tjetër se ishin të gjithë njerëz të shkolluar. Tani ku ka arritur Partia Socialiste sot? Ne kemi zgjedhur individë për të plotësuar dekorin. Pra copëza të cilat po të qëndrojnë në vete nuk kanë asnjë lloj vlere. Ndërkohë që këto mekanizma nuk janë mekanizma të përftesës të një makinerie e cila prodhon energji ose jep një produkt të caktuar në jetën reale. Është thjesht një dekor për syrin e një njeriu. Dhe kjo ka të bëjë edhe me prirjet e kryeministrit si skulptor, a artist, a piktor a nuk e di se çfarë përfaqëson ai në të vërtetë, i prek të gjitha zhanret. Po jap një rast shumë të thjeshtë. Projekti Besa që e ka nxjerrë së fundmi Partia Socialiste. Çfarë do u drejtohesh deputetëve të Partisë Socialiste kur ai thotë 'unë do klonoj 83'? Sa janë deputetë? Do i klonoj do i bëj të tillë.

Flavio Qarri: Epo i fyen, i bën të parëndësishëm, nuk i konsideron as qenie njerëzore. Ndoshta aq vlejnë?

Arian Ndoja: Nuk e di, unë flas gjuhën si i drejtohet ai atyre. Çfarë do i kërkosh anëtarëve të Partisë Socialiste kur kjo sot, mënyra se si është ndërtuar, siç e thonë dhe vetë këta, është republikë drejtorësh, ku deputetët as nuk i ka kush në listë, deputetët e Partisë Socialiste, po thjesht drejtorët që janë emëruar nga persona të caktuar. Dhe republikë prokurorësh në thonjëza, ku ju e keni parë që një pjesë e SPAK-ut është keqpërdorur për të goditur politikisht njerëz, kundërshtarë, edhe për të krijuar këtë lloj gjendje që jemi të gjithë sot koshient. Po edhe në fakt, duke mos i lënë të veprojnë, duke i lënë në heshtje.

Flavio Qarri: Gjoni, tha që SPAK-u duhet të kishte ardhur të mblidhte provat te Syri. Ju në çfarë ore do e kishit sjellë SPAK-un ose prokurorin e çështjes?

Arian Ndoja: Shiko, kjo është e para çështje edhe ushtrim vullneti personal. Nga pikëpamja profesionale s'ka asnjë ndalesë, vetëm nga shkrimi. Ka pasur raste që SPAK-u ka procedime të regjistruara, të cilat kanë marrë spunto vetëm nga një emision televiziv. Ku me shumë kurajë një nga oficerët e policisë gjyqësore apo drejtuesi i prokurorisë së asaj kohe ka marrë urdhër, ka vendosur regjistrimin e procedimit penal e kështu me radhë. Kështu që për ta nisur mund ta nisin. Për ta hetuar, do e para efikasitet, do shpejtësi, edhe do edhe përgatitje profesionale. Me të thënë të drejtën, te pjesa e BKH-së, më vjen keq po një pjesë e oficerëve nuk e realizojnë dot atë kushtin për të qenë pjesë e asaj, po për arsye politike, nga policia, nga ky, nga ai kanë ardhur. Kur të shkosh në gjykatë ai që ka punuar prokuror e di që do përballet me prova, do përballet me palët, është thjesht palë. Kështu që po pate një ekip të mirë, profesional, punën e bën shpejt, me efikasitet, nuk i humbet aktualiteti edhe para syve të publikut, edhe e dyta edhe vetë nuk rrin nën presionin e ndikimit nga jashtë. Sepse ne kemi parë që politika në një formë a në një tjetër po ndërhyn thellësisht…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco