‘SPAK-u është në një presion të jashtëzakonshëm’, Bushkolaj: SHBA kërkon goditjen e karteleve të drogës

18:47, 07/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në Task Force me Sonila Meçon në Syri TV, gazetari Elkier Bushkolaj deklaroi se SPAK-u ndodhet nën një presion të fortë për të goditur kartelet e drogës dhe lidhjet e tyre me politikën.

Duke komentuar vizitën e prokurorëve të SPAK-ut në Paraguaj, Bushkolaj tha se kjo vjen në një kohë kur ambasada amerikane prej muajsh kërkon goditjen e karteleve dhe shkëputjen e lidhjeve të tyre me qeverinë.

Ai përmendi gjithashtu vëmendjen e SHBA-së ndaj Shqipërisë, duke iu referuar deklarimeve të senatorit Marco Rubio dhe Presidentit Donald Trump për kartelet shqiptare.

Bushkolaj e lidhi këtë situatë me zhvillimet në Shqipëri, duke deklaruar se “realiteti i narkoshtetit është i lexueshëm në çdo dimension”.

Ai tha se BKH ka nisur hartëzimin e pasurive të krimit dhe se presioni ndaj SPAK-ut po shtohet edhe nga qytetarët.

Gazetari e lidhi problematikën e krimit me ekonominë dhe protestën qytetare, duke argumentuar se paratë e pista kanë ndikuar në ekonominë shqiptare.

Ai theksoi se protestat 100-ditore kanë në themel shqetësimet ekonomike, pamundësinë për të jetuar me dinjitet dhe eksodin, ndërsa situatën ekonomike të vendit e cilësoi si “në prag krize si në kohën e piramidave”.

Pjesë nga intervista:

Takimi i fundit ka qenë në Paraguaj, në kryeqytetin e Paraguajit ku është bërë një takim me homologët pra, kolegët e SPAK-ut të Paraguajit pasi atje grupet shqiptare janë investuar vitet e fundit në të gjitha dimensionet, qoftë në rrafshin ekonomik por edhe në rrafshin politik. Po ne duhet të kthehemi pas në kohë për të kuptuar realitetin e kësaj vizite. Për hir të së vërtetës është përpara tre vitesh edhe kur ishte në atë përballjen me SPAK-un, është ndër të parët që ka përmendur termin narkoshtet. Pastaj termi narkoshtet filloi të artikulohej dhe në mediat ndërkombëtare, filloi të artikulohej edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe kjo vizitë vjen në një kontekst jo të rastësishëm. Pra kur prokurorët e SPAK-ut i kemi duke u trajnuar nëpër Amerikën Latine, takime që mundësohen nga DEA Amerikane, vjen kur ambasada amerikane ka muaj që po këmbëngul që të goditen kartelet e drogës, të shkëputen lidhjet me qeverinë për shkak se dëmtohet biznesi. Kur senatori Rubio, kur presidenti Trump i përmendin Shqipërisë kartelet.

Kur ndërkohë në Shtetet e Bashkuara do ngrihet dhe një komision për lidhjet e qeverisë shqiptare me kartelet e drogës. Dhe nuk është e rastësishme. Pra të njëjtin ekspozim që ka bërë në Parlamentin Evropian, zoti Berisha tani do ta bëjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por ndryshe nga Bashkimi Evropian që ka një qasje krejt toleruese, me përjashtim të disa vendeve si Belgjika apo Gjermania që ndihmojnë autoritetet shqiptare dhe vendet e tjera janë shumë indiferente, SHBA ia ka prioritet këtë çështje.

Dhe kjo lidhet edhe me ardhjen e ambasadorit të ri, lidhet edhe me presionin që po ushtrohet karshi SPAK-ut, jo vetëm nga ambasada por dhe nga qytetarët shqiptarë. Pra që nga krijimi i SPAK-ut e deri tani ne po shohim qytetarë të rinj kryesisht që po shkojnë dhe po i kërkojnë llogari kreut të SPAK-ut se çfarë po bën. Pse? Sot realiteti i narkoshtetit është i lexueshëm në çdo dimension. Mjafton të shikosh artikujt ekonomikë që flasin për 10 miliardë euro para të pista. Mjafton të shohësh se si Banka e Shqipërisë po blen paratë e drogës duke blerë euron në mënyrë që të mos bjerë në nivele dramatike.

Nga mediat ndërkombëtare, Sonila, janë të parat që ka tre vite, jo tani që po flasim, dhe me përjashtim të Syri Televizion, ky term është përdorur shumë pak nëpër media dhe nga gazetarë specifikë. Tani po flasim konkretisht. Tani po flasim për institucione që vihen në lëvizje. Madje BKH-ja ka nisur dhe të bëjë një hartë po themi të pasurive të krimit, për shkak se do të ketë llogaridhënie. Për shkak të asistencës që kanë ofruar Shtetet e Bashkuara, për shkak të letërporosive që vijnë nga partnerët. Për shkak të operacioneve të shumta, për shkak të asaj se çfarë po ndodh me ekonominë shqiptare që sot është në prag krize si në kohën e piramidave.

Edhe SPAK-u është në një presion të jashtëzakonshëm, gërshetuar kjo dhe me protestën qytetare që për hir të së vërtetës sot vjen në ditën e 100-të. 100 ditë protestë dhe kjo protestë ka emërues të përbashkët aspektin ekonomik në të gjitha dimensionet. Pavarësisht se shumica prej atyre protestuesve nuk dinë të artikulojnë se cilat janë shkaqet reale, se kjo është detyrë e ekspertëve të ekonomisë, e gazetarëve, e politikanëve që t'ua shpjegojnë qytetarëve.

Por në ndjeshmërinë e tyre lidhet ekonomia dhe kjo lidhet në të gjitha dimensionet dhe në të gjitha rrafshet, që nga pamundësia për të jetuar me dinjitet në Shqipëri dhe deri tek shkaqet e eksodit. Këtë zoti Berisha e ka artikuluar në takim dhe vura re që fjalës së tij ishte pikërisht çështja e karteleve. Se në Amerikë e kuptojnë çështjen e karteleve. Kur në Amerikë i thua që euro dhe dollari janë zhvlerësuar si në Meksikë, ato e kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. Ato e kuptojnë termin narkoshtet se e kanë pasur në kufi Nikaraguan, ato e kuptojnë termin narkoshtet se kanë arrestuar Madurën për të njëjtën arsye. Pra janë njerëz që e njohin mirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco