Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mëngjesin e kësaj të mërkure (9 shtator 2026), në zonën e Brrylit, në Tiranë, në pikën e karburantit ‘Eida’.
Sipas raportimeve, ka shpërthyer një depozitë e pikës së karburantit dhe për pasojë është shembur një godinë një katëshe që ndodhej pranë objektit.
Nga shpërthimi kanë mbetur po ashtu të plagosur tre punonjës të karburantit, Vlerim Hakballa, 22-vjeç, Rozart Abazi, 30-vjeç dhe Aurel Xhanaj, të cilët janë dërguar drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Siç mund të shihet dhe në pamjet e mëposhtme, zjarri ka përfshirë karburantin, duke shkaktuar panik te banorët e zonës dhe më pas ka shkrumbuar totalisht objektin si dhe godinën një katëshe pranë tij.



Në njoftimin paraprak, policia thotë se shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë një bombol gazi e cila ka shpërthyer gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet. Nga bolbola e gazit më pas ka shpërthyer depozita e karburantit duke shkrumbuar totalisht objektin. Ndërkohë tre punonjësit e plagosur, sipas policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet. Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën”,- thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë si pasojë e ngjarjes, në këtë zonë është bllokuar përkohësisht qarkullimi, ndërsa po punohet edhe për largimin e inerteve të shkaktuara nga shpërthimi. Sipas raportimeve, rruga pritet të hapet vetëm pasi të përfundojnë ndërhyrjet dhe të rikthehet situata në gjendje normale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.















