Në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë u zhvillua mbrëmjen e djeshme aktiviteti “Rrënjë që lulëzojnë”, ku u prezantuan filmat e shkurtër dhe produksionet e realizuara nga të rinjtë korçarë.
Punimet janë krijuar gjatë një procesi trajnimesh, nga zhvillimi i ideve dhe xhirimet deri te montazhi, duke u dhënë të rinjve mundësinë të sjellin historitë e tyre në ekran.
“Jam absolutisht shumë i lumtur për energjinë që sollën këta të rinj me krijimet e tyre. Ishin 100% të tyre. Ne thjesht i ndihmuam që ata të shprehnin maksimumin. Jam shumë i kënaqur edhe sepse ata u sollën faktikisht në krijime për moshën që kanë, por edhe në kulturën e punës si të rritur”, tha Robert Budina, regjisor, skenarist, producent.
Për pjesëmarrësit, eksperienca ka qenë një mundësi për të mësuar nga profesionistë të fushës, për të bashkëpunuar dhe për t’i parë idetë e tyre të materializuara në ekran.
“Ka qenë një nga eksperiencat e mia më të bukura sa i përket artit multidisiplinar dhe vizual, pasi pata mundësinë që të provoja veten në role të ndryshme, siç ishte asistenca në regji, në montazh apo në filmime, si dhe në aktrim.”
“E gjithë kjo punë ishte thjesht pasion i gjallë. Domethënë, çfarë ne kishim në mendje dhe në shpirt, ne arritëm ta sjellim këtu, me ndihmë patjetër. Për mua ishte një eksperiencë e paharrueshme dhe nuk kam për ta harruar, do ta mbaj mend shumë gjatë.”
“Ishte hera ime e parë që bëja një film dhe u ndjeva vërtet shumë mirë. Ishte një eksperiencë shumë e re për mua dhe shumë e bukur, sepse nga kjo eksperiencë unë njoha njerëz të rinj, njoha një pasion që nuk e dija se e kisha brenda.”
Përmes këtij programi, të rinjtë u përfshinë në procesin e realizimit të produksioneve audiovizive, duke zhvilluar aftësitë krijuese dhe teknike dhe duke trajtuar tema që lidhen me realitetin dhe këndvështrimin e tyre. A.K./TemA
Lini një Përgjigje