Banorët e kryeqytetit, veçanërisht ata të zonës së Brrylit dhe Ali Demit, u zgjuan mëngjesin e kësaj të mërkure nga një shpërthim i fuqishëm, i cili tronditi zonën pranë pikës së karburantit “Eida”, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe plagosjen e tre punonjësve.
Shpërthimi i cili dyshohet se erdhi pas shpërthimit të bombolës së gazit ku furnizohen automjetet, ishte aq i fortë sa godina njëkatëshe e karburantit u shemb pjesërisht, ndërsa pajisjet e furnizimit, çatia, kabllot dhe materiale të tjera u shkatërruan dhe u shpërndanë në të gjithë hapësirën përreth.
Por mes rrënojave dhe dëmit kolosal të shkaktuar nga shpërthimi, një detaj tërheq vëmendjen në pamjet e siguruara nga vendngjarja, një automjet luksoz tip “Mercedes-Benz”, i cili ndodhej vetëm pak metra larg pikës së karburantit në momentin e shpërthimit, ka dalë thuajse i paprekur nga ngjarja.
Automjeti i cili shihet i parkuar pranë rrënojave, është rrethuar nga mbetje ndërtimore, tulla, pjesë metalike dhe materiale të tjera të shkaktuara nga shembja e objektit, ndërsa në pjesën përreth tij duken qartë gjurmët e fuqisë së shpërthimit. Pavarësisht se ndodhej në një distancë shumë të afërt me epiqendrën e ngjarjes, në pamje bie në sy fakti se asnjë prej xhamave të automjetit nuk është thyer, duke bërë që makina luksoze të shpëtojë për mrekulli.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë qartë përmasat e dëmit. Mbetje betoni, tulla, konstruksione metalike dhe pjesë të ndryshme të objektit janë shpërndarë në tokë, ndërsa çatia është shembur dhe pajisjet e karburantit janë dëmtuar rëndë. Në disa pjesë të zonës shihen gjithashtu kabllo të varura dhe materiale të dëmtuara, ndërsa tymi dhe pluhuri kanë mbuluar përkohësisht hapësirën përreth.
Sakaq sipas të dhënave të bëra me dije më herët, në momenti ne shëpërthimit ndodhej një automjet i cili po furnizohej, ndërsa tre punonjës të pikës së karburantit mbetën të plagosur. Ata menjëherë u dërguan në Spitalin e Traumës, nga ku bëhet me dije së fundmi se fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë, ambulancat dhe forcat zjarrfikëse, ndërsa zona është rrethuar për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm dhe qarkullimi është bllokuar përkohësisht.
View this post on Instagram
