Protestat qytetare, Merko: Ishte e shëmtuar të rrethohet me policë një parlament që supozohet se përfaqëson popullin

09:26, 09/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tensionet e ditëve të fundit përpara godinës së Kuvendit kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi marrëdhënien e klasës politike me qytetarët. Gjatë një interviste në Kafë Shqeto në Syri tv, një nga zërat më aktivë të protestës 102-ditore, Etleva Merko e njohur gjerësisht me pseudonimin "Zysha", zbuloi prapaskenat e asaj që u cilësua si një shtetrrethim i vërtetë policor i institucionit më të lartë ligjvënës.

Prania masive e forcave të rendit dhe pajisja e tyre e rëndë u theksuan si një formë e drejtpërdrejtë presioni për të frikësuar qytetarët protestues. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e protestës e cilësoi si absurde dhe të shëmtuar faktin që një mazhorancë, e cila pretendon se gëzon mbështetjen e një milion votave, përfundon e rrethuar me kordonë sigurie nga frika ndaj vetë popullit që duhet të përfaqësojë.

Situata agravohet më tej nga akuzat e vazhdueshme për korrupsion galopant dhe shpërfillje ndaj kërkesave thelbësore të shoqërisë. Ndërsa eksponentë të mazhorancës janë ankuar publikisht për sjelljen e protestuesve ndaj deputetëve dhe automjeteve të tyre, qytetarët në shesh ngrenë zërin për mungesën e theksuar të shërbimeve bazë. Arsimi që po humbet mendimin kritik pas rezultateve zhgënjyese në testin PISA dhe integrimit të nxituar të inteligjencës artificiale, spitalet e zbrazura ku pacientët duhet të blejnë vetë medikamentet, si dhe transporti publik degradues, janë renditur si plagët kryesore që po detyrojnë njerëzit të protestojnë çdo ditë.

Një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua edhe etikës brenda Kuvendit. Përtej retorikës politike, u hodhën kritika të ashpra ndaj veshjeve dhe paraqitjes së disa deputeteve femra, duke i krahasuar ato me sfilata mode, krejtësisht të papërshtatshme për një institucion serioz shtetëror. Zbatimi i një kodi të rreptë etik u kërkua si domosdoshmëri urgjente, duke nisur fillimisht nga anëtarët e qeverisë e deri te kryeministri, përpara se rregulla të tilla t'u imponohen qytetarëve, nxënësve apo punonjësve të arsimit.

Flavio Qarri: Zëri konsistent të protestës është me ne, me pseudonimin ashtu si në të gjithë luftat guerilase, Zysha. Mirëmëngjes, Etleva Merko. Çështja është donim ta fillonim kaq herët në mëngjes për shkak se skenat që pamë ditën e djeshme nëpërmjet kamerave tona ishin shumë shqetësuese. Sigurisht një protestë që është karakterizuar nga një qetësi, nga një qytetari pavarësisht mllefit të shprehur apo revoltës, dje pati rekorde të reja të skenave të paraqitura para syve të publikut shqiptar. Pyetja e parë është e thjeshtë: Pse mendon se ka qenë ai përshkallëzim dhune, për të cilin policia ishte gati që përpara, se i pamë të armatosur në mënyrë shumë serioze?

Etleva Merko: Ndoshta është një mënyrë për të na bërë presion që ne të frikësohemi, ndërkohë që rezistenca jonë ka vazhduar që ditën e parë dhe sot do të jetë dita e 102-të, dhe do të jemi përsëri në atë shesh. Dhe normalisht me qytetarinë tonë do të përballemi me çdo shenjë dhune, me çdo mënyrë dhe reagim negativ të këtij pushteti të korruptuar. Por ajo që mua më bëri më shumë përshtypje Flavio dje ishte, jo se herë të tjera s'më kishte bërë, po dje ishte qartazi domethënë shtetrrethim i parlamentit. E kam bërë rreth e rrotull pjesën, derisa sa dola tek Toptani, që nga rruga e Elbasanit kam ardh rreth e rrotull dhe kishte vetëm polici.

Ishte e shëmtuar Flavio, më beso. Domethënë, të fillojë një parlament që supozohet përfaqëson qytetarët, përfaqëson popullin.

Flavio Qarri: Ka një milion vota mazhoranca.

Etleva Merko: ...dhe të jetë i rrethuar në atë lloj mënyre, të ketë frikë nga votuesit e vet, nga qytetarët e vet, ky është kulmi. Unë vetëm në Shqipëri e kam parë këtë gjë. Deputetë që të kenë frikë nga qytetarët, nga votuesit e vet.

Flavio Qarri: Tani, ka pasur një sërë komentesh ditën e djeshme nga ana e disa eksponentëve të mazhorancës, të cilët kanë thënë që dakord, protesta e kishin qejf, e kemi mbështetur edhe ne madje, por kjo nuk është një mënyrë për të folur, për t'u sjellë me deputetët. Duket se i ka shqetësuar vërtet eksponentët e mazhorancës. A është ajo një mënyrë për t'u sjellë?

Etleva Merko: Po, Flavio, unë kam një pyetje për ta. Si ka mundësi i shqetëson kjo dhunë që në thonjëza ne po bëjmë kundrejt tyre, dhe nuk i shqetëson 102 ditët që qytetarët po dalin në shesh dhe po thonë me të madhe: korrupsioni, korrupsioni, dhe po dalin dita-ditës faktet dhe duhen arrestuar njerëz që janë pjesë e atij parlamenti dhe nuk parashtrohen? Si ka mundësi që qytetaria jonë nuk i bën përshtypje, ndërsa arroganca e tyre dhe korrupsioni i tyre nuk i bën përshtypje? Si ka mundësi? Si ka mundësi që gjithë kohës viktimizohen?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco