Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, ka dhënë detaje të reja për shpërthimin e fuqishëm të ndodhur mëngjesin e sotëm në një karburant te zona e Bërrylit në Tiranë, ku mbetën të plagosur tre punonjës dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas Goxhajt, shpërthimi ka ndodhur në ambientet e zyrave të karburantit “Eida”, ndërsa flakët janë shkaktuar nga një rrjedhje gazi. Ai tha se zjarrfikësit ndërhynë menjëherë dhe arritën të mbyllnin rubinetin, duke ndalur rrjedhjen brenda pak minutash.
“Në orët e para të mëngjesit kemi pasur shpërthim të gazit këtu te karburanti te Brryli. Flakët u shkaktuan nga rrjedhja e gazit. Zjarrfikësit mbyllën rubinetin dhe ndaluan rrjedhjen e tij në pak minuta. Shpërthimi ka ndodhur në zyrat e pikës së karburantit”, tha Goxhaj.
Ai shtoi se po verifikohet edhe një tjetër pistë për shkakun e ngjarjes. Sipas përfaqësuesve të biznesit, një automjet mund të ketë goditur ambientet e zyrave të karburantit, por kjo mbetet ende për t’u konfirmuar.
“Përfaqësuesit e bizneseve na thonë që një automjet mund të ketë goditur zyrat e karburantit, por mbetet për t’u parë. Do ta hetojmë nëse ka qenë defekt teknik i karburantit”, u shpreh ai.
Shpërthimi shkaktoi dëmtime të rënda në një strukturë njëkatëshe të karburantit, e cila u shemb pjesërisht. Tre punonjës të ndodhur në ambientet e tij u plagosën dhe u transportuan në spital për ndihmë mjekësore.
Pas shuarjes së flakëve, ekipet e emergjencës vijuan punën për pastrimin e zonës dhe largimin e inerteve, ndërsa autoritetet po hetojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit.
Lini një Përgjigje